Dy shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë greke, pasi u kapën duke transportuar një sasi të madhe droge nga Shqipëria drejt Greqisë.
Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, në afërsi të Konicës. Mediat greke shkruajnë se shqiptarët e moshës 53 dhe 26-vjeçare po udhëtonin me një kamper në aksin rrugor që lidh Konicën me qytetin e Kozanit.
Por pas një kontrolli të policisë në brendësi të mjetit u zbuluan më shumë se gjysmë ton drogë, të fshehura në vende të ndryshme të makinës. Bëhet fjalë për 529,41 kg kanabis, i ambalazhuar në plot 180 pako.
Policia greke bën me dije se mjeti ishte në pronësi të një firme vendase që jep makina me qera dhe si kontraktor figuronte një grek i moshës 54 vjeç, që u shpall në kërkim.
Këtë operacion, policia greke e cilësoi si një tjetër goditje të rëndësishme kundër trafikimit të sasive të mëdha të lëndëve narkotike midis dy vendeve fqinje. (D.D/Shuplaka)