Nj anije tregtare shqiptare e nisur drejt Maltës është ndaluar nga marina ushtarake e Libisë nën akuzën për transport të paligjshëm mallrash. Lajmi u publikua dje në buletinin e Rojes Bregdetare vendase.
Në shkrim thuhej se mbrëmjen e kaluar anija “Envi 1”, me flamur panamez e pronar shqiptar ishte nisur nga porti i Zuaras, 110 kilometra larg Tripolit me destinacion Maltën.
Në lundrim e sipër, anija është kapur nga autoritetet ushtarake bregdetare të Libisë, të cilat e kanë detyruar anijen të ankorohet pranë një tjetër porti, atij të Zauya-s, një port kryesisht karburantesh, që ndodhet 50 kilometra në perëndim të Tripolit.
Në anije sipas buletinit ndodheshin 5 shqiptarë dhe 3 qytetarë nga Mali i Zi por nuk bëhet me dije se çfarë ka ndodhur me ta.
Ndërsa sot vjen dhe reagimi nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në një njoftim për mediat Ministria Jashtme sqaron se marinarët janë në anije dhe janë siguruar se nuk kanë asnjë problem.
‘MPJ ka marrë të gjitha kontaktet e mundshme dhe kemi bërë ndërhyrjet tek libianët. Po e ndjekim instensivisht situatën. Po kërkojmë e përpiqemi për kthimin e tyre”thuhet në njoftimin për mediat.
(E.K/SHUPLAKA)