Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka nisur një tjetër aksion, atë të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë qarkun e Vlorës por dhe më gjerë.
Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndaluar disa furgona, dy prej tyre tregtonin produkte qumështi në temperatura mbi normën e lejuar, përkatësisht 18.4 dhe 15.6 gradë ku normalja është deri në 6 gradë celsius.
Për sa më sipër, ndaj subjekteve u mor masa administrative gjobë 100.000 për secilin.
Ndërsa një tjetër subjekt u kap në flagrancë nga DRAKU Vlorë, duke transportuar mish dhe nënprodukte të tij në temperaturën 25.6 gradë ku normalja është 6 gradë celsius. Edhe ndaj këtij subjekti u mor masë administrative gjobë në vlerën 200000 lekë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cënojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.
Gjithashtu bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para, produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara me dokumentacion të plotë veterinar e fiskal, pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.
(E.V/Faxweb.la)
Discussion about this post