Prokuroria ka reaguar zyrtarisht ndaj kërkesës së Partisë Demokratike në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 22 maj 2025 në fshatin Pekisht të Peqinit, e njohur ndryshe në opinion si rasti i “trenit bullgar”, një skemë e dyshuar e manipulimit të votave.
Në një përgjigje zyrtare drejtuar PD-së, e protokolluar me nr. 5470, datë 26.05.2025, organi i akuzës konfirmon se është regjistruar procedimi penal nr. 522, po në datën 26 maj, për veprën penale të “Falsifikimit të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve”, parashikuar nga neni 326 i Kodit Penal.
“Aktualisht ky procedim ndodhet në fazë hetimi,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë, pa dhënë detaje të tjera mbi personat nën hetim apo provat e mbledhura deri më tani.
Partia Demokratike ka akuzuar publikisht qeverinë dhe strukturat e saj lokale për manipulim të votave në disa zona të vendit, përfshirë Peqinin, ku sipas PD-së, është përdorur modeli i njohur si “treni bullgar” – një skemë ku votues të ndryshëm futen në qendrat e votimit me fletë votimi të paravotuara, për të ndikuar rezultatin.