Deputeti demokrat Tritan Shehu ka qenë i ftuar sot në ‘’Fax News” për të diskutuar disa nga çështjet e rëndësishme të aktualitetit politik.
Duke iu referuar akuzave të PS-së për lobimin e Partisë Demokratike, Shehu u shpreh se e gjitha kjo bëhet për të tërhequr vëmendjen nga çështjet dhe problemet reale që kanë sot shqiptarët.
Deputeti theksoi faktin se PD-ja është e vetmja parti pro-amerikane në vendin tonë dhe qëndrimin e saj e ka bërë të qartë që prej ditës së parë të themelimit të saj.
“Marrëdhëniet që PD-ja ka me SHBA-në janë të shkëlqyera, jemi e vetmja parti që kemi qenë gjithnjë në mbështetje të faktorit amerikan. Është absolutisht zgjedhja jonë historike që ka ardhur që nga dita e parë e themelimit.
Në lidhje me lobimet dhe të tjera me rradhë, unë po e them që PD-ja ka respektuar ligjet shqiptare dhe ato amerikane. Të gjitha këto bëhen për të tërhequr vëmendjen nga lufta kundër korrupsionit, varfërisë, kundër krimit dhe të tjera si këto.
Është hapur një hetim, le të presim rezultatet dhe më pas të shprehemi. Të gjitha të tjerat janë një tymnajë, kjo është e vërteta. PD do të dalë e pastër nga i gjithë ky proces.
Bilal Shehu ishte i dënuar në SHBA, dhe këtu qëndron diferenca mes nesh dhe PS-së që tashmë është në qeveri. Atyre që bërtasin shumë unë iu them që të tregohen të duruar dhe të presin”, u shpreh Shehu.
Sheh komentoi dhe kalimin e ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoni, teksa tha se ky është një lajm i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët. Në lidhje me demarkacionin në Kosovë, deputeti demokrat u shpreh se tashmë Kosova duhet të shohë përpara dhe politikanët të sheshojnë mosmarrëveshjet mes tyre.
‘’Sukses për të gjithë ata që luftuan ndër vite për miratimin e ligjit, është një moment historik”, u shpreh Shehu për atë që ndodhi dje me shqiptarët në Maqedoni.
Kujtojmë se dje seanca parlamentare në Maqedoni u shoqërua nga përplasje të forta mes të pranishmëve, po në fund u bë e mundur kalimi i ligjit.
(E.L/FAXWEB)