10 grevistët e rafinerisë së Ballshit, kanë ndërprerë përkohësisht grevën e tyre të urisë, pas 11 ditësh, për shkak se kompania u ka kaluar sot 3 prej pagave të prapambetura.
Punonjësit pritet që të rikthehen në Uzinë pasditen e sotme, ku do të diskutojnë me përfaqësuesit e kompanisë për rifillimin e punës në Rafineri, një tjetër kërkesë e tyre kjo.
Gjatë të gjithë këtyre 11 ditëve të grevës së tyre, punonjësit e Ballshit insistonin për kalimin e 5 rrogave të prapambetura, si dhe për furnizimin e Rafinerisë me lëndë të parë.
Vazhdimisht ka pasur negociata mes grevistëve dhe kompanisë për plotësimin e kërkesave, dhe prej mëngjesit të sotëm ka nisur marrja e pagave në bankë.
Nga ana tjetër vijon ende greva e punonjësve të nënstacionit elektrik të Poçemit, të cilët kanë 27 paga të prapambetura, ndërsa qendresa vijon në ditën e 15.
Gjatë këtyre ditëve, naftëtarët janë ndjerë pothuajse të braktisur nga institucionet shtetërore, të cilët nuk kanë mundur që ti japin dot asnjë zgjidhje.
Të dielën që lamë pasë rreth 570 punonjësit e rafinerisë së Ballshit së bashku me familjarët e tyre kanë dalë në rrugët e qytetit, në mënyrë që kauza e tyre të merrte zgjidhje.
(E.K/Faxweb.al)