Një atentat ka ndodhur pak pas mesnate në Durrës, ku kanë mbetur i vrarë Edison Harizaj, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe u plagos rëndë miku i tij.
Edison Harizaj është me orgjinë nga Vlora dhe mësohet se ka qenë objektivi i këtij atentati. Po ashtu në këtë ngjarje është plagosur rëndë dhe shoku i ngushtë i tij Genci Caci, 33 vjeç, i cili u transportua fillimisht drejt spitalit të Traumës, ndërsa nuk dihet ende nëse iu ka mbijetuar plagëve.
Nga burime mësohet se Edison Harizaj ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës, kur i është bërë pritë nga dy persona. Ndaj makinës “AUDI” ku udhëtonte Harizaj bashkë me mikun e tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi dhe autorët pas atentatit kanë shkuar në zonën e Shën Vlashit të Durrësit dhe kanë djegur makinën.
Në drejtim të mjetit Audi A8 janë zbrazur mbi 30 plumba, që dyshohen automatike.
Harizaj që njihet ndryshe si krahu i djathtë i Shullazit nuk është një emër i panjohur për forcat e policisë pasi dyshohet se ai ka qenë i përfshirë në zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë. Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend.
Drejt Durrësit mësohet se janë nisur me urgjencë dhe forcat RENEA, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në Tiranë, Fushë Krujë dhe Kavajë. Dyshohet se autorët janë larguar me një makinë tjetër pas atentatit.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post