Të paktën tetë persona mendohet të kenë mbetur të plagosur si pasojë e një shpërthimi në Lyon të Francës.
Shpërthimi mësohet të ketë ndodhur në rrugën Viktor Hugo, ndërkohë që sipas mediave ndërkombëtare shkak i tij ka qenë një bombë e vendosur në anë të rrugës.
Mediat e huaja bëjnë me dije se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë 8 vjeç, dhe se bomba është hedhur nga një person që po kalonte me biçikletë. Bomba në formën e një pakoje ishte e mbushur në përmbajtje me pjesë metalike si gozhdë dhe bulona.
Policia ka ngritur një perimetër sigurie për të shmangur qarkullimin e këmbësorëve në zonë, ndërkohë që po punohet për zbulimin e rrethanave të hollësishme të ngjarjes.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron, i cili është shprehur se nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka viktima.