Një zhvillim i fundit raportohet në mediat ndërkombëtare nga Britania e Madhe. Ka dhënë dorëheqjen sekretari i Brexit Dominic Raab.
Theresa May njoftoi të mërkurën mbrëma se ajo kishte siguruar mbështetjen e kabinetit të saj për marrëveshjen, pas një takimi pesë orësh, e megjithatë u duk qartë se disa ministra kishin qenë kundër saj.
Raab thotë se nuk mbështet kushtet e vendosura nga BE-ja për daljen e Britanisë nga kjo zonë.
“Nga ana ime, nuk mund ta mbështes marrëveshjen e propozuar për dy arsye. Së pari besoj se regjimi rregullator i propozuar për Irlandën e Veriut paraqet një kërcënim shumë real për integritetin e Mbretërisë së Bashkuar. Dhe së dyti unë nuk mund të mbështes një marrëveshje të pacaktuar, ku BE mund të vendosë veton mbi aftësinë tonë për të dalë nga unioni”, thotë mes të tjerave Raab në letrën e tij të dorëheqjes.
Raab shprehet më tej se May meriton që të ketë një sekretar me të cilin ndan bindje të njëjta për procesin, dhe për këtë shkak ai e ka parë më të arsyeshme që të largohet.
(E.K/FAXWEB.AL)