Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka emëruar producentin televiziv britanik Mark Burnett si të dërguarin e tij të posaçëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Burnett, 64 vjeç, krijoi dhe punoi së bashku me Trump në serialin amerikan, “The Apprentice”, i cili e bëri presidentin e zgjedhur amerikan të famshëm ndërkombëtarisht. Producenti i lindur në Londër ka punuar gjithashtu në shfaqje të tjera të njohura si Shark Tank, The Voice dhe Survivor.
Në deklaratën për emërimin e tij, Trump tha: “Është nderi im i madh të emëroj Mark Burnett si të dërguarin special në Mbretërinë e Bashkuar. Me një karrierë të shquar në prodhimin dhe biznesin televiziv, Mark sjell një përzierje unike të mprehtësisë diplomatike dhe njohjes ndërkombëtare për këtë rol të rëndësishëm.”
Zëdhënësi i Burnett tha në një deklaratë për Variety se ai ishte i nderuar që i shërbente Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Trump si i dërguari i tij special në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas Sky News, Burnett do të punojë për të përmirësuar marrëdhëniet diplomatike, duke u fokusuar në fushat me interes të përbashkët, duke përfshirë tregtinë, mundësitë e investimeve dhe shkëmbimet kulturore. Emërimi i Burnett vjen pasi Trump emëroi biznesmenin Warren Stephens për të shërbyer si ambasador i SHBA-së në Mbretërinë e Bashkuar.