Shefi i Kombeve të Bashkuara ka kritikuar Presidentin amerikan Donald Trump për vendimin e marrë për të ndërprerë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit, duke thënë se tani nuk ishte “koha” për të zvogëluar burimet për OBSH, raporton BBC.
“Tani është koha për unitet dhe bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku në solidaritet për të ndaluar këtë virus dhe pasojat e tij shkatërruese,” është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i OKB António Guterres.
Trump kishte akuzuar më herët OBSH për “keqmenaxhim të rëndë dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit” dhe tha që SHBA do të ndalte fondet në pritje të një rishikimi të situatës.
Guterres megjithatë theksoi se OBSH ishte “në vijat e para, duke mbështetur shtetet anëtare dhe shoqëritë e tyre, veçanërisht më të prekurit midis tyre, me udhëzime, trajnime, pajisje dhe shërbime konkrete për shpëtimin e jetës”.
“Unë kam besim se Organizata Botërore e Shëndetit duhet të mbështetet, pasi është absolutisht kritike për përpjekjet e botës për të fituar luftën kundër Covid-19.”
Por çfarë deklaroi Trump disa orë më parë
“Sot po udhëzoj administratën time që të ndalojë fondet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë përderisa është bërë një rishqyrtim për vlerësimin e rolit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në keqmenaxhimin dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit”, tha Trump gjatë një mbledhje me taskforcën e koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë.
Trump tha se taksa-paguesit amerikanë sigurojnë midis 400-500 milionë dollarë në vit për organizatën përderisa Kina jep vetëm 40 milionë dollarë. Sipas tij OBSH ka dështuar në detyrat e sa themelore, mes të cilave ishte dhe kundërshtimi për të ndaluar udhëtimet nga Kina.
“Si sponsor kryesor i organizatës, SHBA-të kanë për obligim të këmbëngulin në përgjegjshmëri të plotë. Një nga vendimet më të rrezikshme dhe të kushtueshme nga OBSH ishte vendimi katastrofik i saj për të kundërshtuar kufizimet e udhëtimit nga Kina dhe kombet tjera”, tha Trump.
Kjo nuk është hera e parë që Trump sulmon OBSH-në, pasi gjatë gjithë ditëve të fundit presidenti i SHBA-ve është përpjekur që të gjejë armiq të jashtëm për valën e jashtëzakonshme të përhapjes së virusit në shtetet amerikane.
Trump merr vendimin ekstrem në mesin e pandemisë: Ndërpresim çdo fond ndaj OBSH-së, ka dështuar
(E.K/Faxweb.al)