Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës mund të arrihet brenda javës.
Duke folur me gazetarët në një aeroport, Trump u shpreh optimist për përpjekjet diplomatike në zhvillim.
“Mendoj se jemi afër një marrëveshjeje për Gazën,” tha ai, duke nënvizuar vendosmërinë e tij për të ndërmjetësuar një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, në kohën kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në udhëtim drejt Uashingtonit.
Presidenti amerikan shtoi se një marrëveshje e mundshme për lirimin e pengjeve mund të arrihet gjithashtu brenda ditëve në vijim.
“Ka një shans të mirë që të arrijmë marrëveshje me Hamasin për shumë nga pengjet javën e ardhshme. Ne kemi liruar shumicën e tyre, por besoj se edhe ata që kanë mbetur do të lirohen. Shpresojmë që kjo të realizohet këtë javë,” tha Trump.
Ndërkohë, Hamasi ka dërguar një përgjigje “pozitive” ndaj propozimit të fundit për armëpushim, të ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti.
Trump pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë, në orën 18:00 me orën lokale të SHBA-së, me kryeministrin Netanyahu, takim gjatë të cilit do të diskutohet edhe mbi presionin e SHBA-së për një ndalim të luftimeve në Gaza.