Bashkimi Evropian “nuk sheh asnjë justifikim” për vendosjen e tarifave të SHBA-së mbi eksportet e çelikut dhe aluminit nga blloku, thuhet në një deklaratë të Komisionit Evropian të botuar sot.
“Ne nuk do t’u përgjigjemi njoftimeve pa detaje apo sqarime me shkrim”, thuhet në njoftimin për shtyp. “Ne do të reagojmë për të mbrojtur interesat e bizneseve, punonjësve dhe konsumatorëve evropianë nga masat e pajustifikuara”, sipas deklaratës.
Deri më tani komisioni nuk është njoftuar zyrtarisht për ndonjë tarifë shtesë për eksportet e BE-së. Deklarata e komisionit theksoi se vendosja e tarifave do të ishte e paligjshme dhe ekonomikisht antiproduktive.
“Tarifat janë në thelb taksa. Duke vendosur tarifa, SHBA-ja do të taksonte qytetarët e vet, do të rriste kostot për biznesin dhe do të nxiste inflacionin. Për më tepër, tarifat rrisin pasigurinë ekonomike dhe prishin efikasitetin dhe integrimin e tregjeve globale”, sipas deklaratës së BE-së.