Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka reaguar pas postimit në Twitter të presidentit amerikan Trump, i cili i bëri thirrje Rusisë të mos bëhet palë me regjimin e Bashar Al Asadit.
Kërcënimi i Trump vjen në përgjigje të dukshme ndaj vërejtjeve nga ambasadori i Rusisë në Liban, Alexander Zasypkin, i cili tha se trupat ruse të vendosur në Siri kanë baza raketore të afta për të kapur çfarëdo rakete amerikane që sulmojnë objektivat atje dhe mund ta bëjë këtë në rast të një sulmi.
“Raketat duhet të godasin terroristët, jo qeverinë e ligjshme të Sirisë, e cila ka kaluar disa vite duke luftuar kundër terrorizmit ndërkombëtar në territorin e saj “, tha zëdhënësja i Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në përgjigje të kërkesës së Trump të mërkurën.
Ajo shtoi se SHBA po kërkojnë të minojnë inspektimin nga ekspertët e armëve kimike, të cilët planifikojnë të hetojnë në terren në Siri, pas sulmit të dyshuar që shkaktoi konfrontimin aktual midis Rusisë dhe SHBA.
“A janë inspektorët e OPCW-së të vetëdijshëm se raketat mund të shkatërrojnë të gjitha provat e përdorimit të armëve kimike në terren? Apo plani amerikan është të mbulojë të gjitha dëshmitë e këtij sulmi të fabrikuar me sulme raketash, në mënyrë që inspektorët ndërkombëtarë të mos kenë asnjë dëshmi për të kërkuar? “, pyeti Zakharova duke iu drejtuar gazetarëve në konferencën për shtyp.
Pak orë më parë, presidenti Donald Trump shkroi në Twitter:
“Rusia zotohet se do të qëllojë çdo raketë të hedhur në Siri. Bëhu gati Rusi, sepse ato do të vijnë, të bukura, të reja dhe ‘të zgjuara’. Nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret me gaz njerëzit e saj dhe është e lumtur për këtë.”
(E.L/Faxweb)
Discussion about this post