Pauza e ndihmës ushtarake e të SHBA-ve për Ukrainën duket sikur po përpiqet të shtyjë Kievin drejt pranimit të kërkesave të Rusisë, kështu është shprehur një politikan i lartë ukrainas, teksa e krahasoi situatënme Marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938.
“Të ndalosh ndihmën tani do të thotë të ndihmosh [Vladimir] Putinin,” tha Oleksandr Merezhko, kreu i komitetit të punëve të jashtme të parlamentit ukrainas, raporton Sky News.
“Në sipërfaqe, kjo duket vërtet e keqe. Duket sikur ai po na shtyn drejt kapitullimit, që do të thotë [pranimi] i kërkesave të Rusisë. Gjëja kryesore është se kjo është një goditje psikologjike, një goditje politike ndaj Ukrainës, nuk na ndihmon shpirtin. Kjo është më e keqe se Marrëveshja e Mynihu,t sepse të paktën atje nuk u përpoqën ta përshkruanin Çekosllovakinë si agresore, por këtu ata përpiqen të akuzojnë viktimën për agresion – është jashtëzakonisht e rrezikshme”, tha ai.
Presidenti Donald Trump urdhëroi një ndërprerje në dërgesat e ndihmave ushtarake amerikane në Ukrainë pas debatit të tij të ashpër në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky javën e kaluar, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN të hënën.
Ndërprerja e ndihmës, e cila erdhi pasi Trump mbajti një seri takimesh me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, mund të ketë efekt të madh në aftësitë luftarake të Ukrainës, thanë zyrtarët dhe analistët.
Marrëveshja e Mynihut e vitit 1938 i lejoi Gjermanisë naziste të aneksonte një pjesë të Çekosllovakisë.
Kujtojmë se më 30 shtator 1938 në Mynih u nënshkrua një “marrëveshje”, e cila ka hyrë në histori si “komploti i Mynihut” i katër fuqive: Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Francës.
Ky dokument, jo vetëm luajti një rol tragjik në fatin e Çekosllovakisë duke lejuar fillimin e pushtimit të saj nga Gjermania fashiste, por u bë edhe një nga ngjarjet kryesore që favorizuan shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.
Pjesëmarrësit e takimit të Mynihut, duke i nëpërkëmbur normat e së drejtës ndërkombëtare, tradhtuan interesat e Çekosllovakisë dhe e shtynë Rajhun hitlerian drejt ekspansionit territorial në Europë. Duhet theksuar se në vitin 1938, Çekosllovakia me një popullsi prej 14 milionë banorësh zotëronte një industri të zhvilluar, ndër të tjera edhe atë ushtarake, dhe ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve.
Në masë të madhe, për këtë arsye pas anshlusit të Austrisë në mars 1938, A.Hitleri, me pretekstin e mbrojtjes së gjermanëve sudetë, filloi realizimin e planit të shkëputjes me forcë të krahinës Sudete të Çekosllovakisë. Vetëm Rusia Sovjetike u përpoq të protestonte, por atë preferuan të mos e dëgjonin. Perëndimi, pa asnjë keqardhje sakrifikoi Çekosllovakinë duke menduar se ai mund të jetonte pranë Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste.
Pikërisht për këtë komploti i Mynihut është edhe simbol i një tradhtie të turpshme, edhe shembull i një hipokrizie të jashtëzakonshme dhe i dritëshkurtësisë së shteteve kryesore europiane.