Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të mërkurën një raund të ri tarifash tregtare ndaj shtatë vendeve të vogla partnere, ndërsa administrata e tij po përpiqet të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Evropian, partnerin më të madh tregtar të SHBA-së.
Në një postim në platformën e tij sociale “Truth”, Trump bëri të ditur se duke filluar nga 1 gushti, do të hyjnë në fuqi tarifat si më poshtë:
20% tarifë për mallrat nga Filipinet
30% tarifë për mallrat nga Sri Lanka, Algjeria, Iraku dhe Libia
25% tarifë për mallrat nga Brunei dhe Moldavia
Këto masa tarifore u njoftuan pa dërgimin e ndonjë letre zyrtare në adresë të BE-së, ndërsa Trump kishte paralajmëruar një ditë më parë se do të shpallte “minimumi shtatë njoftime” të reja mëngjesin e së mërkurës, me të tjera që do të pasonin gjatë ditës.
Këto tarifa të reja u shtohen 14 masave të shpallura më herët këtë javë, përfshirë tarifat 25% ndaj Koresë së Jugut dhe Japonisë, të cilat gjithashtu pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht, përveç rasteve kur ndërkohë arrihet ndonjë marrëveshje tregtare.
Një ditë më parë, Trump kishte deklaruar gjithashtu se po zgjeron luftën tregtare me një tarifë prej 50% mbi importet e bakrit dhe po shqyrton tarifat e shumëpritura ndaj gjysmëpërçuesve dhe produkteve farmaceutike.
Trump tha se bisedimet tregtare kanë shkuar mirë me Kinën dhe Bashkimin Evropian, i cili është partneri më i madh tregtar dypalësh i SHBA-së.