Zgjedhja e Presidentit Trump në krye të Amerikës, ka tronditur jo pak ekuilibrat botërorë. Shumëkush është në pritje të asaj çka do të vendosë manjati amerikan në shumë nga sferat me ndikim jo vetëm për Amerikën po për gjithë botën.
Që në zgjedhjet e stafit të kabinetit të tij Trump shfaqet kontradiktor dhe polemizues. Ai ka vendosur në krye të tregtisë ekonomistin Peter Navarro, një kritik i hapur i Kinës, në krye të një organizmi të ri për tregtinë. Ai ka qenë këshilltar i Trump gjatë fushatës presidenciale.
Navarro do të udhëheqë Këshillin Kombëtar të Tregtisë së Shtëpisë së Bardhë dhe do t’i shërbejë si politikave tregtare dhe atyre industriale. Në rezumenë e Navarros përfshihen libra si “Luftërat e ardhshme me Kinën” dhe “Vdekja nga Kina”, në të cilët ai kritikon ashpër politikat kineze.
Gjatë fushatës, Trump e bëri tregtinë një çështje thelbësore dhe kritikoi disa marrëveshje të arritura me Kinën dhe Meksikën. Sipas ekipit të Trump, emërimi i Navarros tregon vendosmërinë e presidentit të zgjedhur për të bërë sërish madhështor sektorin prodhues në SHBA. Në një artikull të fundit, Navarro shkruan se ai dhe Trump e duan tregtinë e lirë, por vetëm kur kjo është e ndershme, përndryshe do të vazhdojë të ndodhë ajo që është verifikuar gjatë 15 viteve të fundit: erozioni i bazës prodhuese amerikane dhe miliona amerikanë që nuk gjejnë dot një punë me pagë të mirë.
Ndërkohë, shumë ekonomistë mendojnë se lëvizjet agresive kundër tregtisë kineze mund të sjellin një luftë tregtare që do të dëmtonte rëndë të dyja palët.(E.K/SHUPLAKA)