Trupat amerikane kanë mbërritur në Panama për stervitje ushtarake që synojnë mbrojtjen e kanalit të vendit, i cili lidh dy oqeane, tha të enjten ambasada amerikane, pas një marrëveshjeje dypalëshe që ka shkaktuar protesta në vendin e Amerikës Qendrore.
Një marrëveshje dypalëshe, e nënshkruar në prill, u lejon trupave amerikane të vendosen rreth Kanalit të Panamasë, por jo të krijojnë baza, sqaruan autoritetet panameze.
Ushtarët amerikanë “do të stërviten së bashku me forcat e sigurisë panameze” në “operacione në xhungël”, tha ambasada amerikane në një deklaratë të shkurtër.
Ambasada sqaroi se Panamaja “duhet të miratojë” hyrjen e ushtrisë amerikane, “në bazë rotacioni dhe jo përgjithmonë”, për të kryer stervitje.
Panamaja nënshkroi marrëveshjen e sigurisë pas presionit nga Presidenti Donald Trump, i cili ka kërcënuar të sekuestrojë kanalin, duke pretenduar se është nën ndikimin e Kinës.
Kjo marrëveshje ka shkaktuar protesta nga sindikatat dhe organizatat e tjera panameze, të cilat e konsiderojnë atë një “shkelje të sovranitetit” të vendit dhe se është një kthim i maskuar i bazave ushtarake.
Në vitet e fundit, ushtria amerikane ka marrë pjesë në stërvitje ushtarake në Panama së bashku me vendet e Amerikës Latine.