Kryeministri turk, Binali Yildirim, ka thënë se trupat turke kanë kaluar kufirin sirian në ditën e dytë të operacionit të Ankarasë në territorin e udhëhequr nga kurdët.
Yildirim ka thënë sot se trupat kanë kaluar në rajonin Afrin, i cili kontrollohet nga Njësitet Kurde për Mbrojtjen e Popullit (YPG), kanë raportuar mediat turke.
Nuk është specifikuar numri i ushtarëve turq të përfshirë në këtë operacion.
Yildirim është cituar të ketë thënë se operacioni ka qëllim, krijimin e një zone të sigurisë 30 kilometra në brendi të Sirisë.
Forcat turke janë nisur më 20 janar një operacion për larguar kurdët e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara nga territori Afrin, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-së se një lëvizje e tillë mund të destabilizojë rajonin.
Turqia akuzon kurdët në Siri se kanë lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila zhvillon kryengritje në juglindje të Turqisë në më shumë se 30 vite.
Kjo parti konsiderohet grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Zyrtarët e milicisë kurde kanë thënë më herët se të paktën 10 persona, kryesisht civilë janë vrarë në sulmet ajrore të Turqisë drejt rajonit Afrin.
Zyrtarët turq kanë thënë se ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, ka folur në telefon me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson dhe se gjenerali i lartë i Turqisë, Hulusi Akar, ka informuar homologun e tij amerikan dhe atë rus për operacionin.
Ministria e Jashtme ruse ka thënë sot, se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson kanë diskutuar përmes telefonit lidhur me konfliktin në Siri, në veçanti për atë si të arrihet stabiliteti në veri të shtetit.
Lëvizjet turke kundër Njësiteve Kurde për Mbrojtjen e Popullit (YPG), mund të rrisin tensionet me Shtetet e Bashkuara.
SHBA mbështetet tek YPG për të luftuar militantët e Shtetit Islamik në Siri dhe ka njoftuar për planet e krijimit të një forceje të sigurisë prej 30,000 personash në veri të Sirisë, ku do të ketë edhe luftëtarë të YPG-së.
Ministria e Mbrojtjes në Rusi ka thënë se është duke tërhequr trupat e saj nga rajoni Afrin për “të parandaluar ndonjë provokim eventual dhe të largojë rrezikun për jetën e ushtrisë ruse”.
Rusia i ka dhënë mbështetje vendimtare presidentit sirian, Bashar al-Assad, ushtria e të cilit ka lënë të vdekur mijëra persona dhe ka detyruar shpërnguljen e miliona personave, pas shpërthimit të konfiliktit në mars të vitit 2011. REL