Prej ditësh debati mbi transmetimin e filmave të peridhës së komunizmit është bërë shumë i nxehtë në vendin tonë. Nismëtari i saj Agron Tufa nuk ka ndërmend që ta lërë përgjysmë këtë ide pavarësisht kundërshtimeve dhe kërcënimeve që ka marrë.
Në një shpjegim për një gazetë të përditshme Tufa është shprehur se ai do të vijojë më tej me hapa institucionalë duke e propozuar në Parlament.
“Kjo çështje zgjidhet ose përmes ligjit, ose në mirëkuptim me ato kanale televizive që shfaqin filma të para viteve ’90. Duke u mbështetur në Kushtetutën e vendit, për respektimin e lirive të individit, por edhe për moscenimin e sensibilitetit të komuniteteve të caktuara, qofshin këto fetare, etnike etj., të mund të bëhet një seleksionim i këtyre prodhimeve”, thotë Tufa.
Por duke marrë parasysh që një nga problemet më të mëdha mbi krijimtarinë artistike, është pikërisht respektimi i të drejtave të autorit, rrezikon që kjo ndërmarrje të dështojë, nëse fati i saj do të varet nga vetë televizionet private. Kështu që rruga më e sigurt është rregullimi përmes ligjit, çka e bën vetëm Parlamenti shqiptar.
“Ne nuk jemi një instancë vendimmarrëse, ne ngremë shqetësime dhe bëjmë propozime. Nëse ne (ISKK) dhe AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive) do të depozitojmë këto shqetësime tona, të mbështetura në fakte të mirëargumentuara, pranë Parlamentit, atëherë i mbetet këtij të fundit të vendosë. Ne vetëm adresojmë shqetësime dhe pikërisht pas një jave, do të depozitojmë pranë Parlamentit këtë shqetësim tonin, për shqyrtim”, shprehet Tufa, duke shtuar se për këtë rast duhen shfrytëzuar eksperiencat e ish-vendeve komuniste të Lindjes.
ARSYEJA
Edhe pse në ngjizje të këtij debati u kuptua se bëhej fjalë për ndalimin apo censurimin e të gjithë filmave të realizuar përpara viteve ’90, Tufa ka shpjeguar se nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, po për një seleksionim dhe shoqërim të veprave me një shpjegim të kontekstit në të cilin ata u realizuan. Sipas Tufës, më problematikë paraqiten filmat dokumentarë, të cilët transmetohen pa asnjë lloj filtri. Por sipas tij, probleme paraqesin edhe filmat artistikë.
“Një pjesë jo e pakët e filmave të Kinostudios ‘Shqipëria e Re’ janë në kundravajtje ligjore për garantimin e lirive themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë, në nenin nr. 3 të së cilës, ndër të tjera, thuhet: ‘…dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, bashkëjetesa fetare dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe mbrojë ato’.
Filmat propagandistikë të kohës së komunizmit fyejnë sensibilitete të gjera shoqërore, denigrojnë klasa të tëra, si të ashtuquajturit pronarë, çifligarë, tregtarë, intelektualë, klerikë, diversantë, sabotatorë, nën deklasimin ‘armiq të popullit’. Është 35% e popullsisë së Shqipërisë që ka pësuar nën diktaturë dhe që sheh përsëri këtë propagandë të urryer, njëlloj si dje, edhe sot përmes filmave të tillë.
Kjo është fyerje, një rideklasim, një ripushkatim, një ridënim kur mijëra familje nuk kanë gjetur ende eshtrat e të pushkatuarve nga diktatura”, është shprehur Tufa në lidhje me arsyet pse kërkon seleksionimin e filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Sipas tij, shqetësues është roli edukues që këta filma kanë te brezi i ri, të cilët nuk e kanë jetuar periudhën komuniste.
Ata, sipas tij, mund të marrin një informacion të deformuar për atë periudhë dhe ushqejnë ndjenjën e urrejtjes. Shqetësimit të kreut të ISKKsë, i është bashkuar edhe një prej anëtarëve të AMA-s, Erald Kapri. Pikërisht pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, në datën 10 janar të këtij viti, drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, ka nisur zyrtarisht një kërkesë për ndalimin e filmave, që, sipas tij, shkelin Kushtetutën e Shqipërisë.
Discussion about this post