Policia e Tiranës ka arrestuar një 36-vjeçar i dyshuar i përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në magazinën shtetërore në Selitë.
Në pranga ka rënë Klestjan Hala, banues në Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikua dhe ndalua shtetasi K. H., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 284/25 i Kodit Penal”, njoftimi i policisë.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Tuneli”.
Ndalohet një 36-vjeçar i dyshuar i përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në Selitë.
Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë arrestuar 7 shtetas dhe janë sekuestruar 193 bimë kanabisi të kultivuara në vazo, 100 bimë të thara të futura nëpër thasë dhe sende që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Policinë Shkencore, ka vijuar punën për identifikimin e shtetasve të implikuar në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në një magazinë në rrugën “Hamdi Pepa”.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikua dhe ndalua shtetasi K. H., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 284/25 i Kodit Penal.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Detajet
Magazina shtetërore e përshtatur si shtëpi bari u zbulua më 10 Tetor në rrugën “Hamdi Pepa” në zonën e Selitës. Pas operacionit policor në pranga u vendosën 7 persona. Por, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest me burg për vetëm 3 prej tyre.
Konkretisht u lanë në qeli Erlind Tresa, Asqeri Likaj, mirëmbajtësi i godinës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Elvis Lala.
Ndërkohë për Reshit Tresën dhe tre punonjesit e OSHEE, Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali gjykata caktoi arrest shtepie.
Organizatori i këtij aktiviteti të paligjshëm akuzohet 46-vjeçari Saimir Karaj dhe vazhdon të jetë në kërkim.
Sinjalizimi për kete aktivitet u dha nga ish deputeti Halit Valteri, i cili si punonjës i Kadastrës ka kryer nje inspektim ne keto magazina, ku edhe ka konstatuar aktivitetin e paligjshëm.Policia njoftoi se në total janë sekuestruar 293 bimë narkotike, kanabis sativa, e cila u asgjesua me ane te djegies.
“Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 193 bimë kanabis të kultivuara në vazo (183 prej tyre janë asgjësuar me anë të djegies ndërsa 10 janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme), 100 bimë të thara të futura nëpër thasë, llamba elektrike, ventilatorë, tuba plastikë, pajisje aspirimi, filtra, bobina dhe sende të tjera që shërbejnë për kultivim bimësh narkotike me anë të llambave”, tha policia ne njoftim.