Koreja e Veriut, një prej vendeve më të izoluara në botë, nuk është për t’u çuditur që po ndërton objekte ushtarake nëntokësore.
Qoftë tunele të hapur nën zonën e demilitarizuar përmes të cilëve do të kalonin mijëra ushtarë, apo bunkerë për akomodimin e zyrtarëve të lartë shtetëror, Koreja e Veriut ka ndërtuar objekte nëntokësore të dizajnuar që t’i japin përparësi në luftë, transmeton Telegrafi.
Një nga shembujt më të hershëm të inxhinierisë nëntokësore të Koresë së Veriut, ka qenë zbulimi i disa tuneleve që qonin nga Koreja e Veriut nën zonën e demilitarizuar në drejtim të Koresë së Jugut.
Tuneli i parë është lokalizuar në vitin 1974, rreth një kilometër në jug të zonës së demilitarizuar. Tuneli ka qenë mjaftueshëm i madh, sa që nën të mund të lëviznin deri në dymijë ushtarë brenda një ore.
E gjatë hulumtimeve të kryera në këtë tunel, minahedhësi kishte vrarë oficerin amerikan të marinës dhe tetarin e marinës së Koresë së Jugut. E falë informacioneve që vinin nga Koreja e Veriut, në vitin 1978 u zbulua një tunel edhe më i madh, i gjatë një kilometër dhe i gjerë me dhjetëra metra.
Prej asaj kohe janë zbuluar të paktën katër tunele, të ndërtuar me beton dhe me pllaka të çelikta, energji elektrike, me ndriçim dhe kondicioner me ajër të freskët, korridore për trafik hekurudhor për nxjerrjen e dheut dhe gurëve gjatë ndërtimit të tunelit.
Së bashku, katër tunelet sigurisht se do të mund të strehonin tri brigada nën tokën e Koresë së Jugut. Megjithatë, është vështirë të konfirmohet se sa tunele ekzistojnë. Në një raport thuhet se Kim Il-sung, themeluesi i Koresë së Veriut dhe gjyshi i Kim Jong-un, ka urdhëruar çdo divizion që të hapin nga dy tunele.
Nëse do të realizojë një kërkesë e tillë, në teori do të nënkuptonte se dhjetëra tunele tjera do të mbesnin të pazbuluar. Ish-gjenerali jugkorean Han Sung-chu, pretendon se ekzistojnë të paktën 84 tunele – disa që madje shtrihen deri në qendër të Seulit.
Qeveria jugkoreane nuk beson se numrat e Hanit janë të saktë, dhe as që verikoreanët janë të aftë të mbërrijnë deri në Seul. Gërmimi i tunelit prej 60 kilometrave do të krijonte një deponi të madhe prej 700 mijë tonelata mbeturina që sateliti do ta filmonte. Por, pavarësisht paralajmërimeve, tuneli i fundit është zbuluar në vitin 1990 dhe duket se Koreja e Jugut beson se rreziku i tuneleve ka kaluar.
Nëse ka kaluar, ndoshta kjo ndodh për shkak se Koreja e Veriut ka vendosur të hap tunele në mënyra të ndryshme. Besohet se forcat ajrore të Koresë së Veriut kanë tri baza të ndryshme nëntokësore në Wonsan, Jangjing dhe Onchunu.
Baza nëntokësore në Wonsan përfshinë pistën e gjatë prej 5.900 metrave dhe të gjerë mbi 50 metra, që kalon përmes një mali të dendur.