Gabriele De Fabritis është fituesi i etapës së parë të Turit të 82-të çiklistik të Shqipërisë, që ka patur për itinerar Tiranë – Rrëshen – Shkodër me një gjatë 151.7 kilometra.
Italiani që përfaqëson Shqipërinë e ka prerë i pari finishin, ndërsa ka patur kohën 3h12’57”, distancë e përshkruar me shpejtësi mesatare 47.197 kilometra në orë. Dy sekonda pas De Fabritis ka ardhur holandezi Den Koter dhe 19 sekonda pas italiani ka ardhur një tjetër përfaqësues i Shqipërisë, Xhuljo Kamberaj. De Fabritis është mbajtësi i fanellës së verdhë si kryesuesi i renditjes së përgjithshme individuale, si dhe asaj të bardhë si i riu më i mirë i këtij Turi.
Një etapë që ka nisur me një ceremoni zyrtare në sheshin Skënderbej, atje ku kanë parakaluar 14 skuadrat pjesëmarrëse, të cilët në këtë Tur të 82-të Çiklistik të Shqipërisë kanë sjellë 86 sportistë. Etapa e parë kishte dy finishe të ndërmjetme. Në Berzana ka fituar Ognjen Iliç, kurse në Gocaj, Marko Stankoviç. Me 8 pikë, Ognjen Iliç është fituesi i fanellës jeshile si sprintieri më i mirë i finisheve.
Etapra e dytë e Turit të 82-të të Shqipërisë do të jetë Shkodër – Elbasan me një gjatësi prej 188.099 kilometra, ndërsa Rrethi Çiklistik ofron emocione të mëdha.