Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbërritur në Singapor për ndalesën e fundit të turneut të tij në Azinë Juglindore, ku pritet të bëjë deklarata mbi zhvillimet gjeopolitike.
Emmanuel Macron mbërriti në Singapor pasi vizitave të tij në Vietnam dhe Indonezi.
Presidenti francez pritet të takohet me homologun e tij nga Singapori, Tharman Sanmugaratnam, dhe kryeministrin Lawrence Wong, ndërsa të premten në mbrëmje do të mbajë një fjalim ku do të shpallë hapjen e Dialogut Shangri-La, konferenca më e madhe e sigurisë dhe mbrojtjes në Azi.
Kjo është hera e parë që një udhëheqës evropian ftohet të mbajë fjalimin e hapjes në këtë konferencë, e cila priti Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky vitin e kaluar.
Me “strategjinë e tij Indo-Paqësore”, Macron dëshiron të propozojë një rrugë të tretë midis Uashingtonit dhe Pekinit, shkruan Agence France-Presse.
Ky është një veprim që ndoshta synon të kujtojë ndikimin e madh që Franca kishte në çështjet botërore. Presidenti francez beson se në peizazhin aktual ndërkombëtar, vendi i tij mund të luajë një rol vendimtar.
Emmanuel Macron synon gjithashtu të nënvizojë se “lufta që Rusia po zhvillon në Ukrainë është një konflikt që ka pasoja globale”, përfshirë Azinë, ku sipas tij, Moska mbështet “programet balistike dhe bërthamore të Koresë së Veriut” .