Edhe pse pritej një vit i begatë, bizneset në Vlorë thonë se numri i turistëve që kanë zgjedhur të pushojnë këtë verë në bregdet nuk është i lartë.
Deri tani sezoni nuk ka sjellë fluks turistësh në Vlorë, ndërkohë që rritja e çmimeve në të gjitha strukturat, qoftë hotelerike, qoftë në bare apo restorante është e ndjeshme, llogaritet 30%.
Një tjetër fenomen që vërehet këtë vit në qytetin e Vlorës është ulja e numrit të ditëve të qendrimit të pushuesve, kushtëzuar kjo nga shtrenjtimi i të gjitha mallrave dhe shërbimeve. Në plazhet publike mungojnë rojet, ndërkohë që shqetësim mbeten edhe dushet apo tualetet publike.
Disa prej pushuesve u shprehën për gazetaren e Fax News Afrovita Hysaj:
– Kemi marrë çadrën me vete, si pensionistë që jemi. Nuk na del terezia, edhe pse çmimet e shezlloneve nuk janë shumë të larta. Çmimet e tjera janë disi të kripura, e zgjidhim në mënyrë familjare, në darkë dalim, hamë ndonjë picë, ndonjë sufllaqe, por unë jam nostalgjik për Vlorën. Tualete nuk ka, as dushe, shtëpinë e kemi marrë afër, ikim dhe mbarojmë punë, çfarëtë bëjmë.
-Kushtet janë si mos më keq, mungojnë të gjitha, mungon roja, uji i pijshëm, mungon tualeti, mungon infermieri, një fëmijë desh u mbyt disa ditë më parë. Të gjitha mungojnë, nuk jemi të kënaqur, unë jam nga Vlora vetë. Situata është rënduar shumë fare sivjet.
Papastërti ka më shumë në mëngjes, nuk ka shumë fluks turistësh. Është fukarallëk i madh, çmimet… marrim ujë me akull me vete nga shtëpia, ja bidonat me akull, ka shkuar 900 lekë një bidon me ujë.
-Gjendja sivjet është për ibret, kanë sjellë një zetor që vetëm e sheshon rërën, vjen në mëngjes dhe kërcet e ikën pastaj. Ça të të them unë?