Turizmi ka vijuar të “joshë” të huajt për të udhëtuar drejt Shqipërisë edhe në muajt e dimrit. Pas dhjetorit të vitit të shkuar edhe këtë janar duket se tendenca ka qenë në rritje, ku numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri rezulton 29.8 për qind më i lartë se janari i një viti më parë.
Instituti i Statistikave publikoi shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve për janar 2024 duke konfirmuar kështu atë që u deklarua pak ditë më parë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Konkretisht sipas INSTAT “në Janar 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 540.415. Ky numër është rritur me 18,4 %, krahasuar me Janar 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 489.599. Ky numër është rritur me 29,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023”.
INSTAT vlerëson se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Janar 2024, janë 1.030.014.
“Ky tregues rezulton me një rritje 23,6 %, krahasuar me Janar 2023. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Janar 2024, janë 1.217.684, duke shënuar një rritje me 27,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” thuhet në publikimin e INSTAT.
Duke u ndalur specifikisht tek daljet INSTAT vërën se shqiptarët që kanë lënë Shqipërinë gjatë muajit janar janë 644.768.
“Krahasuar me Janar 2023, ky tregues është rritur me 18,9 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Janar 2024, janë 572.916. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 38,8 %”.
Europianët duket se janë ata që vijojnë të kenë fluksin më të lartë të vizitorëve në janar 2024. Konkretisht nga Europa kanë hyrë 475.563 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 8.867 dhe 2.157 shtetas.
“Në Janar 2024, krahasuar me Janar 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë: rritje, për qëllime personale me 30,2 %; rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 30,7 %; rritje, për biznes dhe qëllime profesionale me 8,8 %” nënvizon INSTAT./ Revista “Monitor”