Pandemia globale e shkaktuar nga Covid-19 do ketë pasoja jo vetëm në shëndetësi por edhe në ekonomi. Shenjat e para kanë filluar tashmë dhe sektori që është në prag është ai i turizmit.
Ashtu siç pritej ky sezon nuk do jetë sit ë tjerët dhepër shkat të pandemisë.
Në kuadër të masave për rihapjen e vendit qeveria ka dhënë tre opsione për turizmin. Ai i brendshëm, ai i koordinuar me vendet e rajonit, si dhe ai përtej këtyre kufizimeve. Teksa opsioni i parë është në dorën tonë, dy të tjerët varen nga vullneti i qeverive të Ballkanit për të koordinuar masa të përbashkëta dhe Bashkimi Europian për të vendosur mbi kufijtë. Strukturat hoteliere dhe tur-operatorët shprehen se janë të gatshëm për të pritur turistë në çdo moment që jepet drita e gjelbër dhe theksojnë se zbatimi i protokolleve të reja nuk do të jetë problem. Të gjithë bien dakord se ky nuk do të jetë një vit që do të gjenerojë fitime për industrinë, por synojnë të paktën të sigurohet mbijetesa e sektorit. Sytë, së fundmi, janë drejtuar nga Kosova ku tregu po testohet me paketa të reja ndërkohë që çmimet priten të jenë të ulëta.Turizmi nuk kishte marrë asnjëherë një goditje të këtyre përmasave në nivel global, pasi krizat financiare, konfliktet politike apo ato mes vendeve, që kanë sjellë edhe përplasje ushtarake, kanë qenë të izoluara. Kjo është një krizë atipike ku duhet të vendosen përparësi dhe përgjigjja e parë erdhi nga Organizata Botërore e Turizmit. “COVID-19, vendos njerëzit të parët”.
Kjo është motoja e OBT duke e shoqëruar me hashtagun “#Travel tomorroë” (udhëto nesër). Të vetëdijshëm për risqet që paraqet aktualisht pandemia, por edhe për nevojën që të mbahet në këmbë një nga industritë me ndikim më të lartë social dhe ekonomik, institucionet ndërkombëtare, qeveritë dhe sektori privat po përpiqen të gjejnë alternativat e mbijetesës. Shqipëria, një nga destinacionet që është futur në hartat e agjencive ndërkombëtare vitet e fundit, po përpiqet gjithashtu të gjejë rrugën e saj. Po cilat janë opsionet që kemi sot mbi tavolinë?
Skenarët për turizmin në vitin 2020, çfarë mundësish ka Shqipëria
Është e qartë që lëvizje të lirë dhe kufij të hapur ashtu si para COVID-19 nuk do të ketë, derisa të mos kemi një vaksinë. Ky është mendimi i ekspertëve të sektorit, por edhe përshtypja që merr nga qëndrimet e qeverive europiane dhe më gjerë. Duke pasur parasysh këtë izolim, pothuajse të gjithë po shohin mundësitë që kanë për turizmin këtë verë. Për Shqipërinë, janë të paktën tre skenarë. Por ndërsa njëri është i qartë, dy të tjerët nuk varen nga vullneti ynë. “Kemi tre skenarët e mundshëm: Turizëm i Brendshëm / Turizëm Rajonal / Turizëm pa Kufizim. Mendoj se duke u nisur nga situata, ku për një kthim në normalitet do të duhet një vaksinë dhe imunitet i popullsisë, vendi duhet të përgatitet për një turizëm të brendshëm kombinuar gradualisht me turizmin rajonal” shprehet Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.
Sa i takon një hapjeje të mundshme të kufijve rajonalë, që ende mbetet në diskutim, ai vlerëson se Shqipëria mund të përfitojë nga kjo situatë, duke pasur parasysh që 80% e turistëve që e vizitojnë hyjnë në rrugë tokësore. “Pika e dytë e fortë janë kategoritë e turistëve që vizitojnë vendin tonë rrugë tokësore, ku rreth 55% vijnë nga vendet fqinje si: Kosova 35%, Maqedonia Veriut 11% dhe Greqia 9%. Operatorët, në bashkëpunim me grupet e tjera të interesit, po punojnë për të paraqitur disa oferta të plota që do të kenë kosto rreth 15-20% më të lirë” nënvizon Topuzi.
COVID-19, Shqipëria konsiderohet vend i sigurt, kërkohen masa shtesë
Të dhënat e publikuara mbi Shqipërinë lidhur me infektimet nga COVID-19 apo fatalitetet e klasifikojnë vendin tonë tek vendet e sigurta. Të paktën kështu shprehet kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa. Sipas tij, gjithçka varet nga vendimi që do të marrë Bashkimi Europian për kufijtë, pasi nëse jepet drita e gjelbër, agjencitë e huaja janë të gatshme të nisin operimet me turistë nga vendet nordike apo polakët dhe çekët. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të rregullt me partnerët tanë ndërkombëtarë.Nga ajo çka na kanë komunikuar janë gati të vijnë pas dy javësh, pra në mes të majit, por problem mbetet mbyllja e kufijve që është një vendim i përbashkët që i takon Bashkimit Europian. Nga shifrat që ne kemi, ata e cilësojnë Shqipërinë si një vend të sigurt. Si pikë e dytë e rëndësishme për ta është plotësimi i infrastrukturës bazuar në rekomandimet dhe protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetit, të mos kemi vatra të reja në mënyrë që klientët të ndihen sa më të sigurt. Kërkohet që të jetë një numër emergjence si dhe një mjek brenda strukturës akomoduese, me qëllim që të konsultohen simptomat nëse janë normale, apo mund të cilësohen si COVID-19. Të jetë në gatishmëri ambienti i izolimit për çdo rast” pohon Kasa.