Muzeu Historik Kombëtar shënoi thuajse dyfishim të numrit të vizitorëve në janar, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Statistikat e turizmit të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë se në institucionet kulturore në vend numri i vizitorëve është rritur me 50 për qind. Kjo tendencë duket se shkon në të njëjtën linjë me ecurinë e përgjithshme pozitive të turizmit që po regjistrohet në muajt të parë të vitit, ku për janar-shkurt janë thuajse 1 milion shtetas të huaj që kanë hyrë në vend. Teksa Muzeu Historik Kombëtar është i pari për nga numri i vizitorëve në janar, i dyti është Muzeu i Krujës me mbi 3 mijë vizitorë, ndërkohë që i treti Muzeu i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” me mbi 2 mijë vizitorë çka shënon dyfishim në raport me janar 2023.
Edhe pse shifrat e vizitorëve në muzetë e vendit mbeten modeste, ajo që vihet re është rritja dyshifrore në dy vitet e fundit, nxitur nga numri më i lartë i turistëve. Në 12 Muze të vendit, në total sipas statistikave, në janar ishin 13 430 vizitorë, apo 83 për qind më shumë sesa në janar të vitit 2023. Segmenti i turizmit kulturor shihet si një formë për të rritur përfitimet që vijnë në përgjithësi nga turizmi, duke dhënë një ndikim edhe më të madh në ekonomitë lokale apo zonat ku janë të vendosur këto muze. Tërheqja e të huajve pranë tyre nxit ekspozim edhe më të lartë të bizneseve turistike të vogla të lidhura me turizmin por efekti real mbetet ende i vogël dhe i pamatur.
Turizmi kulturor pritet të shënoje ecurinë pozitive që pritet të përjetojë sektori përgjatë gjithë këtij viti por jo të gjithë institucionet kulturore do të mund të presin vizitorë. Konkretisht Muzeu Historik Kombëtar sipas një njoftimi të bërë thuajse tre javë më parë do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni që do të mbajë dyert mbyllur për të paktën katër vite.
Njoftimi që saktësonte se në datë 15 mars do të ishte mbyllja e këtij institucioni më pas u hoq nga faqja e Muzeut dhe nga ai moment nuk është dhënë më asnjë detaj shtesë për projektin apo mënyrën sesi është menduar të menaxhohet kjo situatë teksa operatorët turistike e kanë cilësuar këtë mbyllje si problem për paketat e tyre të promovuara për të huajt./ Revista “Monitor”