Forcimi i Lekut ndaj Euros po vazhdon me ritme të pandërprera dhe po e tërheq monedhën vendase në nivele rekord edhe kundrejt shumicës së valutave të tjera.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot në minimumin e ri historik prej 106.39 lekësh, në rënie të mëtejshme me 0.56 lekë krahasuar me ditën e djeshme. Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka rënë me gati 11.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia e euros po zhyt edhe kursin e valutave të tjera me monedhën vendase.
Paundi Britanik shënoi gjithashtu një rekord të ri historik, prej 123.58 lekë.
Dollari Amerikan ra sërish, në nivelin e 99.15 lekëve, duke prekur vlerën më të ulët që nga shtatori i vitit 2011.
Franga Zvicerane është gjithashtu në rënie të fortë dhe u këmbye të enjten me 109.06 lekë, niveli më i ulët në katër vitet e fundit.
Oferta e lartë dhe kërkesa e pakët për valutë në treg po sjell një forcim galopant të monedhës vendase. Rolin kryesor në këtë tendencë e ka ecuria e kursit të Euros, që është monedha e huaj referuese për ekonominë dhe përcakton edhe ecurinë e kursit ndaj valutave të tjera kryesore.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor nga tregu, kjo situatë mund të shpjegohet me disa faktorë. Rritja e turizmit hyrës ka patjetër një lloj ndikimi, megjithëse nuk e justifikon e vetme forcimin në këto përmasa dhe me ritme kaq të shpejta të Lekut.
Një faktor tjetër, sipas tyre, është ndërtimi me ritme të larta dhe që në një pjesë shumë të madhe financohet me burime në Euro. Paralelisht, edhe transaksionet e blerjes thithin flukse të mëdha valutore hyrëse, qoftë nga shtetasit e huaj, qoftë nga emigrantët shqiptarë jashtë vendit. Këtu përfshihen flukse formale, por edhe ato informale.
Megjithatë, agjentët mendojnë se përtej elementëve të mësipërm, një rënie kaq e shpejtë e kursit të euros nuk mund të shpjegohet pa konsideruar edhe faktorin psikologjik.
Tashmë, duket se tregu ka krijuar pritshmëri të forta për forcimin e mëtejshëm të Lekut, duke pasur parasysh edhe faktorin sezonal. Kjo kushtëzon sjelljen e bizneseve dhe të konsumatorëve, duke i shtyrë të nxitojnë të shesin Euro, çka rrit më tej ofertën e ul edhe më shumë kursin e monedhës europiane.
Përgjithësisht, në të shkuarën pritshmëritë e njëanshme në kursin e këmbimit janë korrigjuar në momentin e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë. Por, banka qendrore deri tani është shprehur se forcimi i Lekut reflekton raportet normale të kërkesës dhe të ofertës në treg, ndaj nuk ka arsye për të ndërhyrë qoftë edhe përkohësisht në regjimin e lirë të kursit të këmbimit.
Treguesi kryesor që mat panikun mes agjentëve të këmbimit është marzhi mes kursit në blerje dhe atij në shitje. Në rastet kur kursi lëviz me ritme shumë të shpejta, agjentët rrisin marzhet për të shmangur humbjet. Aktualisht, marzhet e tregtimit të euros nga agjentët e mëdhenj të këmbimit janë afër niveleve të zakonshme, fakt që tregon se në treg nuk duket të ketë panik të mirëfilltë.
Megjithatë, një forcim në këto përmasa i monedhës vendase po bëhet problem serioz për një pjesë të ekonomisë. Këtu përfshihen eksportuesit e mallrave, bizneset e sektorit turistik, familjet që përfitojnë remitanca, por edhe ata që kanë kursime në euro dhe që po zhvlerësohen shumë nga forcimi i lekut.
Ata që po përfitojnë më shumë në këtë situatë janë importuesit e mallrave dhe shërbimeve, qeveria dhe huamarrësit në valutë të huaj.
Importuesit e mallrave po shpenzojnë më pak për blerjen e mallrave, si rezultat i forcimit të lekut. Deri tani, kjo nuk ka sjellë ulje të çmimeve të konsumit. Mund të supozohet se në këto kushte importuesit kanë rritur fitimet, ose i kanë përdorur këto marzhe për të mbuluar rritjen e pagave dhe kostove të punës.
Leku i fortë e bën më të lirë turizmin e shqiptarëve jashtë vendit dhe mund të jetë shtysë që më shumë shqiptarë të udhëtojnë jashtë për pushime këtë vit.
Qeveria shqiptare po regjistron një ulje të fortë të borxhit publik në Euro, falë forcimit të Lekut në kursin e këmbimit. Përfitime të ngjashme po regjistrojnë edhe huamarrësit privatë, që kanë kredi në euro dhe të ardhura në lekë, në formën e uljes së barrës së borxhit dhe uljes së shpenzimeve për këstet mujore të kredisë./Monitor.al