Të rinjtë e FRPD-së kanë ‘futur në një kafaz burgu’ Edi Ramën dhe Vangjush Dakon, si simbol i korrupsionit të qeverisë vendore dhe lokale të zbuluar së fundmi dhe nga përgjimet e BILD.
Dy persona të veshur me rroba burgu që mbajnë si maskë fytyrën e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Durrësit Dako janë nxjerrë ‘për shëtitje’ brenda një kafazi burgu si një linçim publik për korrupsionin dhe vjedhjen e zgjedhjeve nëpërmjet bandave kriminale.
Opozita e bashkuar sot mban protestën e 8-ë kombëtare, ndërsa prej 16 shkurtit ka nisur një sagë protestash para Kryeministrisë, Parlamentit dhe institucioneve më të rëndësishme në vend.
Deputetët e PD-së dhe LSI-së vendosën të digjnin mandatet e tyre në shkurt të këtij viti pas zbulimit të disa hetimeve të prokurorisë së Krimeve të Rënda se zyrtarë të lartë kanë ndërhyrë nëpërmjet shitblerjes së votës në zgjedhjet e shkuara parlamentare.
Kjo kauzë e opozitës u përforcua dhe pas artikullit të tabloidit gjerman BILD ku u publikuan 6 përgjime të bisedave të zyrtarëve të lartë të PS-së në Durrës me eksponentë të rrezikshëm të krimit, jo vetëm në vend.
Lideri i PD-së, Lulzim Basha në protestën e së dielës së shkuar paralajmëroi se nuk do të kishte më fjalë dhe se në protestën e ardhshme fjala do ti lihej sovranit.
Discussion about this post