Ankaraja zyrtare ka reaguar ashpër ndaj deklaratës që ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, bëri nga vija kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë, ku e cilësoi si “idiote” deklaratën e presidentit turk për rinegocimin e Traktatit të Lozanës për kufijtë mes dy vendeve dhe si “fyese” atë të kryeministrit shqiptar Rama për çështjen çame.
Në reagimin e saj zyrtar, Ministria e Jashtme e Turqisë shprehet se ministrit të Mbrojtjes në Greqi i mungojnë kapacitetet e nevojshme për të kuptuar më së miri zhvillimet mes dy vendeve dhe i bën thirrje të reagojë në mënyrë dinjitoze duke marrë në konsideratë edhe pozitën e tij.
Në deklaratën e saj, ministria turke thekson se qëndrimi i Kammenos ka dëmtuar përpjekjet për të promovuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe e këshillon atë që të përmbahet.
“Sjellja dhe deklaratat e ministrit grek të Mbrojtjes që mesa duket e ka humbur arsyetimin dhe gjykimin, dëmtojnë përpjekjet për bashkëpunimin që po përpiqemi të vendosim mes dy vendeve.”, thuhet në deklaratën e diplomacisë turke.
Në marrëdhënien plot tension mes Turqisë dhe Greqisë kanë ndikuar edhe deklaratat e ministrive të Jashtme respektive mbi çështjen e ishujve të Egjeut, për të cilën Ministria e Jashtme greke deklaroi të enjten se sovraniteti i Greqisë mbi ishujt e Egjeut është i padiskutueshëm.