Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për biznesmenin dhe pronarin e rrjetit të lokaleve të striptizmit, Dodë Ricën. Mësohet se 47-vjeçari Dodë Rica i cili u arrestua më 22 gusht në Durrës, është pronar i rrjetit të lokaleve të striptizmit në Shqipëri dhe Kosovë, “Club Shqiponja”.
Dosja e cila lidhet me ekstradimin e Ricës në Kosovë, i ka kaluar Gjykatës së Tiranës pasi ky i fundit figuron banues në kryeqytet. Rica akuzohet për trafikim të njerëzve në Kosovë, dhe arrestimi i tij u bë i mundur për shkak të denoncimeve nga disa prej balerinave shqiptare dhe të huaja të cilat punonin në lokalet e tij.
Pas denoncimit, autoritetet kosovare informuan menjëherë homologët e Tiranës për lokalizimin dhe arrestimin e biznesmenit. Nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore të shkëmbyera mes Interpol Tiranës dhe agjencive në Kosovë, forcat e posaçme operacionale të Durrësit e lokalizuan të shpallurin në kërkim ndërkombëtar, në lagjen numër 13 të qytetit bregdetar.