Akuzës së Partisë Demokratike se Ministria e Arsimit po detyron nxënësit nëpër shkolla të plotësojnë formularin e të dhënave të prindërve për t’i përdorur ato për zgjedhjet politike, vetë dikasteri i drejtuar nga Lindita Nikolla i është përgjigjur duke e hedhur poshtë.
Megjithatë për të shmangur spekulimin e mëtejshëm politik me këtë detaj që është vetëm teknik, siç shprehet Ministria në njoftimin e saj, ministrja Nikolla ka nxjerrë urdhër për heqjen e kësaj kërkese nga shkollat.
MASR ka shpjeguar se projekti i mbledhjes së të dhënat e prindërve ishte për të krijuar rrjetin e tyre dhe për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e stafeve të shkollave kundrejt prindërve.
Ministria ka siguruar se këto të dhëna nuk do të përdoreshin nga subjektet politike por vetëm informimin e prindërve për se çfarë ndodh në çdo orë mësimin në çdo shkollë të Shqipërisë.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Arsimit:
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë kërkon të sqarojë komunitetin e prindërve dhe publikun për sa i përket kërkesës për mbledhjen e të dhënave nga prindërit se:
MASR po krijon rrjetin e komunikimit në kohë reale me prindërit dhe mësuesit. Ky sistem do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e stafeve të shkollave kundrejt komunitetit të prindërve të cilët duhet të jenë sa më të përfshirë me sugjerime dhe këshilla duke qenë të informuar për çdo rezultat apo nismë.
Për ta bërë efektiv dhe të sigurt këtë proces, është parë e nevojshme nga specialistët vendosja e NID si element sigurie, për të shmangur çdo gabim raportimi të të dhënave në emër dhe mbiemër që informacioni të jetë sa më i saktë dhe të shmangë dublikimet.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë siguron se këto të dhëna nuk kanë asnjë qëllim të ndryshëm siç interpretohet nga subjekte të caktuara politike, por kanë një dhe vetëm një qëllim, informimin e prindërve se çfarë ndodh në çdo orë mësimi në çdo shkollë të Shqipërisë.
Theksojmë edhe një herë, se të gjitha akuzat drejtuar këtij procesi janë të ulëta, në rastin më të mirë dhe dashakeqe ndaj institucioneve të dijes ku mësojnë fëmijët e shqiptarëve.
Për të shmangur spekulimin politik me këtë detaj që është vetëm teknik, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Nikolla ka nxjerr urdhër për heqjen e kësaj kërkese.
Do të vijojmë më ngritjen e rrjetit të bashkëqeverisjes me prindërit dhe mësuesit edhe në mungesë të elementit NID.
(E.L./Faxweb)