Ish-deputetja e Partisë Socialiste Ermelinda Meksi ka reaguar pas aludimeve se kryeministri Rama po negocionte me të për ta vendosur në postin e kryeministres teknike.
Ajo ka reaguar në rrjetet sociale duke thënë se nuk ka asnjë prapaskenë dhe se ky lajm nuk ka asnjë lidhje me të.
POSTIMI:
“Të nderuar miq,
Sapo u njoha me lajmin e publikuar në portalet dhe mediat online lidhur me të ashtuquajturat “prapaskena” politike në Tiranë. Në respekt tuaj dhe disa gazetareve serioze që më kanë kontaktuar ju informoj se ky lajm nuk ka asnjë lidhje me personin tim.
Lutem mediave ta heqin nga faqet online këtë lajm si krejtësisht të pavërtetë.
Ju uroj një ditë të mbarë! E.Meksi”
Opinion.al raportoi se burime konfidenciale të tyre (jozyrtare) pranë stafit të Edi Ramës konfirmojnë se Ermelinda Meksi, ish-eksponente e PS, që për momentin mban një post të rëndësishëm në zyrat e Sekretariatit Ekonomik pranë OSBE në Vienë ka patur bisedime intensive me kryeministrin Rama.
Meksi njihet si tekniciene e zonja dhe e papërfshirë në afera politike në Shqipëri. Ndoshta arsyeja që ajo është në kontakte të shpeshta me Edi Ramen ka të bëjë me mundësinë e drejtimit prej saj të një qeverie teknike. Nuk përjashtohet mundësia që emri i Meksit të jetë dhe një kandidaturë e mundshme e PS për Presidente.
Lëvizjet e ditëve të fundit, largimi i 4 ministrave dhe bisedimet intensive të Edi Ramës me bashkëpunëtore dhe ish-bashkëpunëtorë shtojnë dyshimet që Kryeministri po përgatitet për lëvizje të reja ‘surprizë’ që doemos kanë lidhje dhe me qëndrimin përfundimtar që pritet të mbajë për zhvillimet e fundit aleati i tij kryesor LSI. (M.D/ Shuplaka)