Ish-Presidenti afgan Ashraf Ghani ka folur për arratinë e tij drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ai thotë se u largua për të shmangur gjakderdhjen në rrugët e Kabulit ndërsa me vete mohon të ketë marrë fonde të qeverisë.
“Ika i nxitur nga punonjësit e sigurisë së pallatit (presidencial). Ata më këshilluan se po të qëndroja, rrezikoja të nxisja të njëjtat luftime të tmerrshme që qyteti ka përjetuar gjatë luftës civile të viteve 1990”, thuhej në një deklaratë të zotit Ghani.
“Largimi nga Kabuli ishte vendimi më i vështirë i jetës sime, por besova se ishte mënyra e vetme për të ulur armët e për të shpëtuar Kabulin si dhe 6 milionë banorët e tij”, shkruante ai më tej.
72-vjeçari Ghani tha se kishte punuar për 20 vjet për të krijuar një qeveri demokratike në Afganistan, por pranoi se nuk kishte arritur të siguronte “stabilitet dhe begati”, i njëjti rezultat që kanë prodhuar qeveritë e tjera afgane për dekada të tëra.
Agjencia ruse e lajmeve RIA raportoi se zoti Ghani u largua nga Kabuli me katër makina dhe një helikopter plot me para dhe se i ishte dashur të linte ca para, pasi nuk kishte patur vend ku t’i fuste. Agjenci të tjera lajmesh kanë njoftuar se ai dyshohet të ketë marrë 169 milionë dollarë nga arkat e shtetit, një akuzë e ngritur gjithashtu edhe nga Ambasadori i Afganistanit në Taxhikistan.
“Këto akuza janë plotësisht dhe kategorikisht të rreme”, thuhej ne deklaratën e zotit Ghani.