Pas arratisjes së katër shqiptarëve nga burgu grek Petru Rali në Athinë, mëngjesin e kësaj të hëne, raportime nga mediat greke bëjnë me dije se deri më tani janë arrestuar dy prej tyre. Ngjarja e paradites së sotme do të alarmonte gjithë policinë helene pasi pjesë e grupit të të arratisurve ishte një prej shqiptarëve që mori pjesë në përleshjen e marsit 2018 në psikiatrinë e burgut të Koridhalos, ku u vra një shtetas grek.
Ndonëse nuk dihet emri i tij, thuhet se i arratisuri i dytë, u pikas nga forcat speciale EKAM në rrugën Agiou Polikarpou, ku edhe u arrestua. Ai nuk iu bind thirrjes për të ndaluar nga ana e policies, por iku me vrap, ndërsa gjatë tentativës për tu arratisur sërish është rrëzuar, duke mbetur i dëmtuar lehtë. Mësohet se shqiptari ishte i paarmatosur.
Tashmë mbeten në kërkim dy shqiptarë të tjerë, njëri i akuzuar për vrasje dhe një tjetër për grabitje. Kujtojmë se arratisja ndodhi sot në orën 4 të mëngjesit ku 4 shqiptarët ishin vendosur përkohësisht në burgun e transferimit, pasi pak ditë më parë ishin implikuar në episode të dhunshme në burgun Koridhalos.
Endrit Canaj dhe Xhelo Hasanaj si dhe dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, fillimisht kanë thirrur rojet për ndihmë kur një prej tyre u shtri në shesh dhe bënte të sëmurin. Sapo rojet hynë në qeli, i kërcënuan me thikë të improvizuar, u morën armët dhe celularët dhe i mbyllën brenda.
Më pas u arratisën duke përdorur një furgon policie. I pari prej tyre u arrestua në Athinë. Sipas mediave greke, arratisja ka qenë spektakolare dhe ngjante me një skenar të ndonjë filmi.(Lexo këtu)