Ditën e djeshme Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 38-vjeçaren Olesia Duka, e cila dyshohet se përmes mashtrimit, i ka marrë një qytetari 900 mijë euro.
Nga hetimet e kryera, gjykata ka bërë më dije se 38-vjeçarja nga Tirana, me profesion stomatologe, ka përvetësuar nëpërmjet mashtrimit shuma të mëdha parash, që në total, sipas denoncuesit me inicialet I.H, arrin shumën 900 mijë euro. Dukës dhe familjarëve të saj u është bllokuar pasuria me vlerë 300 mijë euro, si sekuestro preventive.
Olesia nuk është një emër i padëgjuar për publikun shqiptar. Ajo ka qenë shpesh e pranishme edhe në media, sidomos pas divorcit me kantautorin e njohur Bojken Lako, lidhja me të cilin zgjati rreth 5 vjet.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurimit arrest me burg për shtetasen Olesian, për shkak se ajo vazhdon të kryejë veprime në mbulimin dhe dredhinë për mashtrim dhe vjedhjes se shumave të mëdha parash edhe tek disa persona të tjerë.
DOSJA E PROKURORISE
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, mundësoi zbulimin e një vepre penale të një shtetasje për mashtrim me vlera të mëdha financiare, deri në 900 mijë euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në 26 janar 2018, ka filluar procedimin penal nr. 143/2018, për veprën penale “Mashtrimi”, të parashikuar nga neni 143/3 i K. Penal në ngarkim të shtetases O.D. banuese në Tiranë, në dëm të shtetasit paditës I.H.
Nga materialet hetimore paraprake të mbledhura, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova se nga autori i veprës penale O.D. (madhor) është kryer vepra penale e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal, i cili me anë të veprimeve të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit, vazhdon të mos kthejë shumën e parave të marra duke kryer në këtë mënyrë veprën penale ndaj të dëmtuarit I.H. që nga njohja mes tyre në nëntor 2016.
Autori i veprës penale vazhdon të kryejë veprime në mbulimin dhe dredhinë për mashtrim dhe vjedhjes së shumave të mëdha parash edhe tek disa persona të tjerë” – thuhet në dosjen e prokurorisë së Durrësit.