Lirohet shtetasi kinez, Liangbin Chen që akuzohej për zhvatjen e afro 145 milionë eurove. Liangbin Chen u arrestua në korrik në Tiranë, por Gjykata e Tiranës caktoi sot masën ‘arrest shtëpie’, duke e nxjerrë nga burgu.
Si argument është përdorur faktit se referuar një akti të Mjekësisë Ligjore i dyshuari nuk mund të qëndrojë në qeli pasi i rrezikohet jeta.
Pse akuzohet Chen?
Chen është koka e një grupi që me seli në qytetin Huzhoi në Kinë, ndërsa mashtrimet i ka kryer në të gjithë botën. Përmes platformave online ku jepeshin shtëpi, kompjutera dhe telefona, ai ia ka dalë të kryejë një mashtrim me vlerë 1 miliardë yen kinezë. 32-vjeçari, me profesion programues kompjuterik, u arrestua si kreu i një grupi kriminal që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzën e “Mashtrimit” me pasoja të rënda. Ky grup kriminal ka mashtruar dhjetëra qytetarë kinezë, ndërkohë aktiviteti ka qenë i shtrirë edhe në Dubai.
Platforma e ngritur online u mbyll dhe Chen bashkë me bashkëpunëtorët u zhdukën me 1 miliard jen, ose 145 milionë euro. 32-vjeçari mbërriti në Shqipëri nga Dubai dhe dyshohet se do të fshihej në vendin tonë.