Policia e Shqipërisë ka arrestuar pardje në Tiranë, 23-vjeçarin nga Podujeva, Shkëlqim Kastratin i cili tash e dy vite ka qenë në kërkim nga Interpoli, i kërkuar për veprën penale “vrasje me dashje” e i dënuar në shtetin gjerman për vrasje të mbetur në tentativë.
Kimi, ashtu siç është edhe nofka e tij, kishte zgjedhur Shqipërinë si strehim, ndërkaq, dje këtij të fundit gjatë bastisjes, policia i konfiskoi një armë e 7 paketime kanabis. Duke folur për Gazetën Express, familja e tij thotë se djali i tyre nuk ka vrarë asnjë person, derisa shtojnë se përleshja kishte ndodhur me disa rusë që 23-vjeçarin e kishin fyer në baza etnike.
Ishte viti 2017-të, atëherë kur Shkelqim Kastrati i njohur me nofkën Kimi u përfshi në një përleshje me disa persona, që degjeneroi në gjuajte me armë.
Krejt kjo ngjarje e ndodhur në dhjetor të atij viti në Gjermani, la të plagosur rëndë një person, e si i dyshuar kryesor i policisë gjermane, ishte 23-vjeçari nga Podujeva.
Duke mos dashur që të përgjigjet për akuzat të cilat i ngarkoheshin për ngjarjen e ndodhur në një nga diskotekat e Gjermanisë, Kastrati zgjodhi të ikë, duke menduar se mund t’i shpëtojë drejtësisë.
Që nga atëherë për 23-vjeçarin u premtua shpërblimi me para, për këdo që kishte informacione, derisa, u shpallë edhe kërkimi ndërkombëtar.
Për më shumë se dy vite, ai qëndroi në arrati, e si vend shpëtim zgjodhi Shqipërinë e Kosovën.
Kjo nuk i zgjati më shumë. Të dielën, Policia e Shqipërisë, në një operacion të quajtur “Fitnessi”, arrestoi Shkëlqim Kastratin në Tiranë, duke ia bastisur edhe vendin ku po jetonte me qira. Atij ju gjetën 7 paketime kanabis e gjithashtu edhe një armë, derisa, u arrestua edhe një shok i tij, edhe ky i fundit në kërkim nga policia.
Rrëfimi i familjes
23-vjeçari nga Kosova, Shkëlqim Kastrati për më shumë se dy vite ishte në kërkim ndërkombëtar. Por, kjo nuk e ndaloi të lëvizte lirshëm nëpër Tiranë.
Madje, ky i fundit, po jetonte në kryeqytetin shqiptar në një banesë të cilën e kishte marrë me qira. Kjo deri dje, kur ai u arrestua nga Policia e Shqipërisë.
Mirëpo, familja e Kastratit po mohojnë të gjitha akuzat që janë bërë publike në mediat gjermane e shqiptare.
Duke folur për Gazetën Express, nëna e 23-vjeçarit, Luljeta Kastrati, thotë se nuk është e vërtetë se djali i saj e ka vrarë ndonjë person, por, që shton se kishte qenë vetëm tentim vrasjeje.
“Djali jem nuk e ka vra kërkan, ka qenë tentim, ai ka gjujt nuk e ka gjet kurgjo, njeri jeton, ka qenë rastësisht. Familja Kastrati nuk jena na mafioza”, thotë ajo.
Tutje, ajo po shton se deri te përleshja kishte ardhur pasi që djalin e saj e kishin provokuar disa rusë në baza etnike.
“Ka qenë një përleshje me do rusë e kanë provoku, masi e kanë provoku ata e kanë rrëzu edhe ky ka reagu. Nuk na dojnë neve shqiptarëve. Në formë etnike krejt jo, e kanë provoku, ky ju ka thanë mos më provokoni ju ka nxeh gjaku e ka ardhë në një situatë nuk është shumë e madhe”, thotë nëna e 23-vjecarit.
Ajo shton se kurrë më herët familja e saj nuk kishin pas probleme me dikë, tash e 30 vite sa po jetonin në Gjermani.
Luljeta Kastrati shton se djali do të ishte më mirë po të dorëzohej në polici në vitin kur ndodhi rasti.
“S’ka ditë se i ri, me më pas vetë mu unë e kisha kry si burrat burgun. Ky u frikësu ka mendu që po i ik po ska mujt me ik”, shton.
Familja po thonë se që sa vite ishte djali në arrati nuk kishin komunikuar me të, derisa, informacionin se ku po fshihej e se është arrestuar e kanë marrë nga mediat.
“Në kohën e fundit me djalë nuk kemi komuniku, vetëm përmes gazetave që kemi lexu. Nuk e kam ditë që po qëndron në Tiranë kemi marrë informata që është në liri”, deklarohet, duke thënë se edhe arma me të cilën ndodhi krimi nuk ishte e djalit por ia dha dikush nga shokët.
“Ja kanë dhanë dikush prej shoqnisë, se ky armë me veti nuk ka se s’jemi njerëz që merremi me armë se na jemi njerëz që punojmë e për këtë arsye edhe kemi ardhë këtu”, përfundon ajo, pa dhënë detaje nëse djali është ekstraduar deri më tani apo nëse ka kontaktuar me të së fundmi.
Si kishte ndodhur ngjarja?
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Kastrati më 15 dhjetor, 2017-të, kishte shkuar në një diskotekë e cila ndodhet në një zonë industriale në Donaueschingen. Ai, siç shkruajnë mediat gjermane, nuk u lejua në diskotekë, e për këtë qëlloi me armë një nga punonjësit e sigurimit.
Viktima mori plagë të rënda dhe u dërgua urgjentisht në klinikën emergjente. Menjëherë pas rastit, Kastrati iku. Që nga atëherë, deri dje kishte qëndruar në arrati, derisa, zyra e prokurorit publik në Konstanz për të ka dhënë një shpërblim prej 2,500 euro.
Ai ishte shpallë në kërkim nga Interpoli pasi që pasi që Gjykata Gjermane me datë 15.12.2017 e ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale vrasje me dashje parashikuar nga Kodi gjerman me maksimumin e dënimit, 15-vjet burg.
Gjatë kontrollit në banesën e tij në Tiranë polica gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri me fishek që dyshohet se i përket 23-vjeçarit si dhe shtatë paketime me lëndë narkotike kanabis. Gjatë operacionit në banesën ku jetonte 23-vjeçari u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë edhe e një personi tjetër I cili ishte dënuar më parë për shitje të drogave të forta.
Në kërkim policia ka vënë edhe personin A.LL i cili dyshohet se e kishte strehuar në banesën e tij 23-vjeçarin.