Një ditë më parë u bënë të ditura identitetet e tre kosovarëve, pjesë e një celule terroriste që operonte në Itali dhe që kishte në plan të sulmonte urën Rielte në Venecia. U ndalua edhe një minoren, i dyshuar si anëtar i kësaj bande.
Menjëherë pas arrestimit dhe identifikimit të tyre, ka reaguar babai i njërit prej djemve të arrestuar, i cili përjashton mundësinë që i biri të jetë terrorist. Në një prononcim të tijin për “Klan Kosova”, Bedri Babaj, nga Llausha e Skenderaj, babai i Arjan Babaj, nuk bindet se i biri është në gjendje të lëndojë dikë.
Babai ka rrëfyer se i biri ishte praktikues i fesë islame, si gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes që jeton në Llausha. Dyshimet e nxjerra nga policia italiane se katër të rinjtë kishin planifikuar të sulmonin urën Rielte në Venecia, ai i quan montime.
“Sa i përket këtyre gjërave që përfliten në ndonjë sulm a diçka e tillë as mendja nuk më ka shkuar. Sa i përket besimit ai e ka praktiku besimin islam. Me këta shokë që ka qenë i ka bashkuar xhamia, pasi ata kanë shkuar të falen bashkë. Ndoshta janë përcjellur për faktin që shkojnë në xhami bashkë e falen bashkë. Unë kam marrë vesh nga një zyrtar i policisë për djalin. Kam kontaktuar tre katër herë, por nuk mund të komunikoja pasi italisht nuk di. Me djalin tim ende nuk kam folur, policia nuk më ka dhënë sqarime tjera.
Sa i përket asaj që paskan planifikuar një sulm, ajo punë nuk do të dalë kurrë. Djali im është prej 10 vjetësh atje, ka kontribuar atje, dhe nuk ka pasur dosje në polici e as që i ka bërë keq dikujt. Ky është veç tentim që arrestimi i tyre të bëhet më i bujshëm. S’kanë pasur kurrfarë plani për sulme. Si mund të shpallësh terroristë disa djem punëtorë?!”, është shprehur ai ndër të tjera.
(XH.A/SHUPLAKA)