Gjykata ka liruar nga paraburgimi Vladimir Gjutën, i cili u arrestua pak ditë më parë nga ana e policisë, pasi akuzohej se kishte dhunuar një të afërmin e tij.
Pavarësisht se kishte pësuar thyerje të dhëmbëve, kushëriri i Gjutës kishte tërhequr denoncimin dhe për këtë shkak Gjykata ka vendosur lirimin e tij.
“Më datë 4 janar, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim policor V. Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se në datën 02.01.2020 ka goditur me sende te forta shtetasin J. H.
Gjithashtu po ky shtetas dyshohet se është autori i ngjarjes së datës 19.12.2019, të ndodhur në Rrugën e Elbasanit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, ku është goditur me sende të forta shtetasi S. Xh. Materialet në ngarkim të shtetasit V. Gj., i kane kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Kanosja”.”– thuhej në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se në vitin 2015 Vladimir Gjuta u arrestua me akuzën për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ndalimi i tij u nga forcat RENEA dhe reparti i Krimeve të Rënda, në hyrje të tunelit të Kalimashit.
Në momentin e arrestimit, Gjuta ishte duke udhëtuar drejt qytetit të Kukësit me një automjet tip “Opel” me targa Kosove, si dhe ndodhej nën shoqërinë e një shtetasi nga Kosova. Gjuta akuzohej edhe për kërcënime me SMS ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit.
Një vit më vonë në vitin 2016 Vladimir Gjuta fitoi lirinë. Lirimi erdhi pas vendimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pushoi procedimin penal ndaj shtetasve Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka, të dyshuar për veprat penale të “Veprave me qëllime terroriste”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal.
(E.K/Faxweb.al)