Aleanca për Teatrin ka bërë thirrje që nesër në orën 11:00 të mblidhen në Gjykatën e Durrësit për të mbështetur qytetaren Xhulia Aliaj.
Xhulia u arrestua pak ditë me parë për ‘përhapje paniku’, pasi shpërndau në rrjetet sociale artikullin e medias italiane Avvenire ku flitej për dyshime se mund të jetë dëmtuar impianti i trajtimit të ujrave të zeza.
Postimi i plotë
Nesër, ora 11, në Gjykatën e Durrësit, zhvillohet gjyqi për masën e arrestit ndaj qytetares Xhulia Aliaj, që akuzohet për “përhapje paniku”.
“Faji” i Xhulia Aliajt është se postoi në profilin e saj në Facebook artikullin e medias italiane Avvenire ku flitej për dyshime se mund të jetë dëmtuar impianti i trajtimit të ujrave të zeza.
Ndërkohë që ka dhjetra pallate e qindra shtëpi të shembura dhe nuk është arrestuar asnjë konstruktor, inxhinier zbatimi, mbikqyrës punimesh, pronar firme ndërtimi apo shef urbanistike në bashki, Prokuroria që po “rilind” përmes “vettingut”, zbaton urdhrin e diktatorit për arrestimin e një qytetareje të thjeshtë, për citimin e një lajmi, autorët e të cilit nuk janë paditur apo hetuar.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ju bën thirrje të solidarizohemi me qytetaren Xhulia Aliaj duke u mbledhur paqësisht para Gjykatës.