Për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë ka hyrë një deputet që vjen nga radhët e komunitetit Egjiptian. Ai është Ervis Meço i cili është betuar në nisje të seancës së sotme plenare duke marrë kështu mandatin e deputetit të lënë vakant nga largimi në bllok i deputetëve të opozitës.
Meço vjen nga lista shumëemërore e Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës i cili ka qenë caktuar i fundit në listën me 13 kandidatë..
Meço është njëkohësisht edhe përfaqësues i partisë së komunitetit Egjiptian, kandidati i Partisë për Europianizim dhe Integrim, me kryetar Rivelino Çuno.
Theksojmë se kjo parti politike në zgjedhjet e shkuara të 2017 ishte aleate e PD-së dhe kandidatët e saj garuan me siglën e kësaj partie në zgjedhje.
Me sa duket në Kuvendin e Shqipërisë do të jetë një tjetër deputet me precendent të mëparshëm penal pasi në formularin e dekriminalizimit, Meço sqaron se është dënuar në Gjermani me 30 ditë burg.
Ervis Meço akuzohet se ka përgjuar/regjistruar në mënyrë të paligjshme një zyrtar gjerman dhe për këtë vepër penale ai është dënuar me burgim, diçka të cilën ai sqaron se e ka shlyer me gjobë.
Përveç kësaj, deputeti i sapo betuar shkruan në formular se për katër muaj ka qëndruar në Gjermani si azilant politik, por nuk e ka përfituar statusin diçka e cila sipas tij ka ndodhur menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2017..
Kujtojmë se diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me deputetin Selami Jenisheri i cili mori mandatin disa ditë më parë pasi rezulton se në vitin 2001, ka qenë i dënuar me 8 muaj burg për akuzën e “Mashtrimit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur më datë 27.11.201 deklarimin fajtor të deputetit aktual në Kuvendin e Shqipërisë, Selami Jenisheri e për rrjedhojë është dënuar me 8 muaj heqje lirie për akuzën e mashtrim, vendim i cili është lënë në fuqi në gjykatat e të gjitha shkallëve (lexo këtu).
Në videon e mëposhtme është fjala e Ervis Meços gjatë një takimi elektoral në qytetin e Vlorës kur ai ishte kandidat për deputet në listat e PD-së.
(F.GJ/FAXWEB.AL)