Gjykata e lartë në Greqi ka shtyrë për 18 shtator seancën ndaj shqiptarit Shaban Veizi, i dënuar me burgim të përjetshëm në 2004, vetëm për 16 kg hashash.
Siç raporton gazetari i Fax News në Greqi Shpëtim Zinxhiria, shqiptari kërkoi t’i shtyhej gjyqi pasi i është mohuar e drejta të mbrohet me avokat.
Ai tha në sallë se gjyqi ndaj tij është politik dhe se nuk mund të vijonte shqyrtimi i cështjes së tij pa mbrojtje. Në seancë ishin të pranishëm dhe dy përfaqësues nga ambasada jonë në Greqi.
”U dënova në 2004 për dy minuta, pa u dëgjuar fare dhe për 16 kg hashash”, tha Veizi për gazetarin Zinxhiria.
Veizi ka pretenduar gjithmonë se është i pafajshëm pasi ishte një shok i tij që e kishte futur në kurth duke i dhënë një çantë për ta mbajtur brenda të cilës ishte lënda narkotike.