Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin nga detyra të kreut të Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci.
Haluci u hetua vetëm për kriterin e pasurisë, dhe jo për aftësitë e tij profesionale dhe pastërtinë e figurës. Relatorja e çështjes u shpreh në seancën dëgjimore se Haluci ka pasur mungesë dokumentacioni për të vërtetuar të ardhurat e bashkëshortes dhe së bijës.
Çfarë u tha në KPK: Sipas ILDKPI, ai ka deklaruar një papafingo të papërfunduara në Tiranë. Rezulton se subjekti ka ndërtim të paligjshëm. Nuk ka sjell informacion dhe dokumentacion për të vërtetuar të ardhurat.
Pas hetimit të KPK, rezulton se ai ka deklaruar në 2004 një apartament, si dhe në 2015 për një objekt të përbashkët me vëllezërit.
Ka kryer veprime për përfitime financiare. Sipërfaqja totale e deklaruar nga subjekti nuk është e plotë, pasi ka dhe pjesë tjetër. Subjekti ka ndërtuar pa leje. Nuk ka përcaktuar ansjë detaj për vlerat e ndërtimit apo detaje të tjera të nevojshme.
Ndërkohë që vetë Haluci është treguar i ashpër në seancën dëgjimore, teksa ka kujtuar dhe vuajtjet e tij gjatë regjimit komunist, dhe dënimin me vdekje që i është dhënë.
“Po më bëni të ndihem më keq se kur u dënova me vdekje nga Gjykata e Lartë para viteve 90. Po më ofendoni duke më akuzuar për vlerësimin pasuror që po më bëni, duke më bërë të më vijë turp”, është shprehur Haluci.
Historia e Skënder Halucit është e pazakontë. Haluci, sot kryegjyqtar, është akuzuar në vitin 1983 se donte t’i bënte atentat Ramiz Alisë në Tropojë. Ai u arrestua gjashtë muaj pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë. Më pas u dënua me vdekje. Por, një muaj pas dënimit, Presidiumi i Kuvendit Popullor, ka kthyer dënimin nga me vdekje në heqje lirie me 25 vjet burg.
14 vjet më vonë, Skënder Haluci ishte gjykatës dhe Ramiz Alia i akuzuar. Në vitin 1997, Haluci ishte pjesë e trupit gjykues që kishte në dorë çështjen kundër ish-presidentit Ramiz Alia. Haluci dha dorëheqjen nga trupi gjykues, sipas parashikimit të atëhershëm të Kodit të Procedurës Penale. Ndërkaq, akuzat për atentat ndaj Ramiz Alisë, Haluci i ka konsideruar si sajime të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Atentatet ndaj Ramiz Alisë në Has dhe Tropojë janë atentate të sajuara nga Sigurimi i Shtetit. Në Has, vërtet është arrestuar dikush dhe i është gjetur granatë në xhep, dhe për këtë janë pushkatuar dy persona, por ata kanë pasur hasmëri mes dy familjeve dhe konfliktin e kanë pasur mes tyre, dhe jo me Ramiz Alinë. Rasti i Tropojës është një përrallë e vërtetë. Ramiz Alinë e kanë pritur me ovacione dhe me entuziazëm të madh. Në 1983 dhe ne jemi arrestuar 6 muaj më vonë. Ramizi ka ardhur diku nga qershori apo korriku i atij viti dhe ne jemi arrestuar më 24 nëntor 1983”, ka pohuar ai.
(E.K/Faxweb.al)