Gazetarja e ‘Fax News’ Ervina Shehaj ka raportuar se Kostandinos Kacifa u ekzekutua nga RENEA tek depot e ujit në Bularat ku fshihej prej disa orëve.
Ai pasi është lokalizuar nga RENEA i është bërë thirrje që të hedhë armën dhe të dorëzohet, por jo vetëm që nuk është dorëzuar por ka vazhduar të qëllojë pa pushim ndaj RENEA-s. E ekspozuar maksimalisht ndaj rrezikut për shkak të terrenit RENEA i është kundërpërgjigjur duke e ekzekutuar.
Gazetarja e ‘Fax News’ tha se Kaçifa qëlloi jo vetëm ndaj policisë shqiptare por edhe ndaj disa banesave duke rrezikuar jetën e banorëve.
Në lidhje me versionin që u përfol se ai ishte me probleme mendore, gazetarja e ‘Fax News’ tha se ishte një hipotezë nga banorët , por nga vëzhgimi i profilit të tij në ‘Facebook’ duket qartë që ngjarja e Bularatit ishte një plan i mirëmenduar dhe përgatitur më parë.
“Rama dhe Tsipras bëjnë plane pa nikoqirët. Për një gjë të jeni të sigurt. Rinia e Vorio Epirit nuk do të qëndrojë spektatore (nuk do bëj sehir). Thirren të gjithë grekët e Vorio Epirit që në 28 Tetor të dërgojnë një mesazh në çdo anë. Grek ose vdekje!”, shkruante Kostandinos Kaçifa në Facebook.
Edhe PDIU në reagimin e saj u shpreh se Kacifa nuk ishte një person I sëmurë mendor dhe as i pirë, por një ekstremist i “Agimit të Artë”.
Duket se gjithçka ishte e përgatitur për ditën kur do të mbaheshin festimet e përvitshme që përkujtojnë të rënët e luftës italo-greke. Kaçifa jetonte në Greqi dhe se kishte disa ditë që kishte ardhur në Bularat ku kishte vendosur dhe flamuj grekë.
Kostandonos Kacifa zbrazi karrikatorët ndaj policisë shqiptare, ku 4 prej plumbave goditën mjetin e policisë. Ndërkohë mediat greke po e paraqesin ekstremistin si hero i cili kishte ngritur flamurin grek, dhe vrasjen e tij si një provokim. (B.H/Faxweb)