Prokuroria ka sekuestruar celularin e nënkryetarit të Bashkisë së Vorë, Gentian Picarit.
Picari u emërua në postin e nënkryetarit të bashkisë, ditën e fundit kur Kajmaku ishte në detyre, pas shkarkimit nga KQZ, për shkak se u vërtetuan akuzat e opozitës, se ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar në Greqi për falsifikim parash.
Pas shkarkimi, u zbulua se Kajmaku kishte firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të rinj të bashkisë, duke emëruar në këtë post vetëm Gentian Picarin. Ky i fundit ka bërë kërkesë që t’i rikthehet telefoni.
Ndërkohë ditën e sotme po ashtu, Kajmaku për të cilin gjykata ka vendosur “arrest me burg”, ka apeluar masën e sigurisë, ndërkohë që ende është në arrati nga policia.
Vora u kthye dhe në një arenë përplasjesh brenda vetë klaneve në PS, ku ministrja Belinda Balluku kërkoi që të vendoste në krye të Bashkisë Laureta Omerin, një nga nënkryetaret e saj të besuara, të cilën Kajmaku e shkarkoi ditën e fundit të qendrimit të tij në detyrë.
Përpara se KQZ ta shkarkonte, Kajmaku ka shkuar në zyrën e tij, dhe ka shkarkuar dy nënkryetarët e bashkisë: Muca dhe Laureta Omeri.
Në vend të tyre, ka emëruar vetëm një nënkryetar bashkie, shefin e tij të kabinetit, Gent Picari.
Në këto kushte, Këshilli bashkiak është i detyruar ta caktojë Picarin, të besuarin e Kajmakut, në krye të bashkisë.
Nga ana tjetër zgjedhjet në Bashkinë e Vorës mbahen peng nga ana e presidentit Meta, i cili njësoj si në rastin e Shkodrës nuk ka dekretuar një datë të re për mbajtjen e tyre, pasi nuk i njeh votimet e 30 Qershorit, nga ku doli kryetar dhe Kajmaku.
(M.Q/Faxweb.al)