Andon Mëhillaj, një nga personazhet më të njohura të botës së krimit në qytetin e Vlorës, i dënuar me burgim të përjetshëm është gjetur i vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm në burgun e Peqinit.
Lajmi u transmetua fillimisht në Fax News, ndërkohë që mbeten ende mister rrethanat e vdekjes së tij, duke qenë se mosha fare e re, 44 vjeçare, pakëson dyshimet për shkaqe natyrale.
Andon Mëhillaj ishte anëtar i grupit të Julian Sinanajt, i dënuar si vrasës me pagesë, pasi ishte vetëdorëzuar në polici në vitin 2014. Më konkretisht Mëhillaj dyshohej se fshihej pas porositjes të disa krimeve të rënda në Vlorë, të gjitha të kryera me tritol, dhe të ekzekutuara nga serial killer Julian Sinanaj, i cili u bë më pas i penduari i drejtësisë.
Mëhillaj, sot 44 vjeç në momentin e dëshmisë në prokurori në vitin 2014, kur dhe u vetëdorëzua në policia, ka dhënë dëshmi të kundërta me Sinanajn dhe anëtarët e tjerë të bandës, që quheshin ndryshe dhe grupi i Tritolit.
Mëhillaj dhe disa të afërm të tij dyshoheshin se kishin qenë porositësit e të gjithë krimeve të pranuara nga Julian Sinanaj, përveç atentatit me tritol ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Në asnjë moment ai nuk dha emrat e personave të tjerë që kishin porositur krimet duke marrë një dënim maksimal, siç ishte ai me burg përjetë.
“Do të isha vetëdorëzuar më parë, por doja që më parë të siguroja familjen time, bashkëshorten dhe dy fëmijët, pesë dhe një vjeç e gjysmë. Nuk mund të lija familjen rrugëve dhe nën kërcënime të mundshme, për shkak të akuzave që janë ngritur me pa të drejtë ndaj meje, si nga Sinanaj, ashtu edhe nga grupi hetimor.
Gjithashtu, shumë gjëra mendoj se më pas janë fryrë edhe nga mediat. Tashmë që sigurova familjen, jam i qetë dhe i gatshëm t’i dorëzohem dhe përgjigjem prokurorisë për të hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj meje me pa të drejtë, duke vënë në rrezik jetën time dhe të familjes time”, deklaronte Mëhillaj në momentet e vetëdorëzimit në Polici, ndërsa rrëfente dhe njohjen me Sinanajn.
“Me Sinanaj kam pasur mosmarrëveshje për disa gjëra, madje isha kërcënuar prej tij, por kishim një kohë të gjatë që nuk flisnim dhe nuk e di se cili ka qenë shkaku që ai më implikon me këto akuza të pabaza”.
Pritet që të dalë rezultati i autopsisë për të vërtetuar shkaqet e vdekjes së Mëhillajt, ndërsa ka raportime se të dënuarit e tjerë në burgun e Peqinit kanë nisur një grevë urie, si shenjë revolte ndaj kësaj ngjarje të rëndë.
(E.K/Faxëeb.al)