Një 39-vjeçar shqiptar i arrestuar 12 herë është parë i lirë teksa lëvizte në rrugët e Athinës, por liria e tij nuk ka zgjatur shumë pasi u arrestua së fundmi bashkë me partneren e tij. Raportohet se brenda makinës së tyre të marrë me qira, u gjetën pako me eksploziv dhe detonatorë në një vend të posaçëm nën timon teksa në një zonë tjetër të mjetit, policia zbuloi edhe një pistoletë.
Mediat greke shkruajnë se në orët e para të pasdites të së shtunës, 39-vjeçari dhe partnerja e tij 33-vjeçare janë nxjerrë para prokurorit publik, i cili i ka proceduar për veprën penale të mbajtjes dhe furnizimit me lëndë plasëse. 39-vjeçari dyshohet se është pjesëtar i një grupi grabitësisht dhe lënda plasëse ishte menduar për ndërtimin e një bombe, e cila do të vendosej në një makinë apo dyqan.