Pesë persona antarë të të njëjtës familje kanë mbetur të helmuar në fshatin Turan të Tepelenës.
Sipas burimeve, Dervish Dervishi së bashku me gruan e tij Gentjana Dervishi dhe të afërm të tjerë të tyre Metulla Dervishi, Qerim Dervishi dhe Xhevahir Kuçi janë helmuar pas konsumit të peshkut mbrëmjen e djeshme.
Personat janë transportuar menjëherë në spitalin e Gjirokastrës, ku më e moshuara Metulla Dervishi 77-vjeç ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë për jetën. Gjendja e saj është komplikuar pasi ajo vuante edhe nga sëmundje tjetër dhe ishte e paralizuar.
Sipas mjekëve që po i trajtojnë, 5 anëtarët e familjes janë diagnostikuar me intoksikacion alimentar.
Gentjana Dervishi në një intervistë për Fax News është shprehur se problemet e para me shëndetin kishin ardhur pak minuta pas konsumimit të ushqimit. Ndër të tjera ajo thotë se: “ Dje e blemë ne dyqan, dje e konsumuam. problemet e para erdhën 10 minuta pas ngrënies. Në spital erdhëm që mbrëmë në 08:30. Jemi pjestarë të së njëjtës familje, vetëm njëri është mik i shtëpisë, e kemi të afërm. Deri tani na kanë dhënë ndihma, s’na kanë thënë gjë”.
Discussion about this post